10 April
Këshilli i etikës në media reagon lidhur me raportimet luftënxitëse të disa mediave të cilat transmetojnë prononcime të personalieve të ndryshme që bëjnë thirrje edhe konfrontime ndëretnike në vend. Sipas tyre raportimet e tilla përkrah situatës aktuale politike ndikojnë negativisht ndaj sigurisë qytetare, interesit publik dhe lirisë së mediave. Këshilli kërkon nga institucionet kompetente të marrin masa në përputhshmëri me ligjet.
Është shqetësuese mënyra e informimit në disa media ku vend kryesor zënë informimi i njëanshëm dhe informimi i cili nxitë frikën për përkeqësim të mundshëm të situatës, duke përfshirë këtu edhe thirrjet për mobilizim në shërbim dhe mbrojtje të interesave të partive të caktuara politike. Mediumet kanë rol të veçantë në mbrojtjen e qytetarëve nga jo toleranca e shprehur, mosbesimi dhe ndrojtja e tyre nga rreziku i dhunës – thuhet në kumtesën e Këshilli për Etikë në Media
Komunikologët konsiderojnë se deri në këtë gjendje ka ardhur si pasojë e neglizhencës institucionale dhe promovimit të raportimeve jo profesionale nga individ të caktuar. Profesori Sefer Tahiri thotë se institucionet nuk veprojnë edhe pse kodi penal parasheh edhe dënime kur kemi të bëjmë me shpifje, me të drejtat autoriale e përgjegjësinë qytetare. Nxitje të urrejtjes dhe raportime shpifëse dhe të pabazuar në faket ka pasur në vazhdimësi edhe nga mediat online. Duke pasur parasysh rastet e fundit, Tahiri thekson nevojën e regjistrimit të mediave profesionale dhe atyre online me që të njëjtat të mbajnë përgjegjësi për raportimet.
Tek ne Prokuroria Publike nuk funksionon dhe deri më tani nuk është dënuar askush ndërkohë që ne shohim dhe ndjekim shumë gjuhë të urrejtjes e cila është e pranuar tek mediat online. Por kjo nuk do të thotë se mediat online duhet të jenë të lira, mund të bëjnë çfarë të duan dhe të sillen në hapësirë komunikatave tërësisht liberale pas asnjë lloj përgjegjësie publike. Liria pa përgjegjësinë editoriale, pa përgjegjësi ndaj interesit publik nuk është liri. Të gjithë atë që e mbështesin këtë qëndrim pra lirinë pa përgjegjësi janë armiq të lirisë së fjalës dhe të lirisë së mediave – tha Sefer Tahiri, komunikolog.
Së fundi, kryesisht pas aktualizimit të protestave për Maqedoni të përbashkët, media të caktuara kanë transmetuar thirrje të ndryshme për mobilizim. Në mesin e tyre edhe thirrjen e peshkopit maqedonas për luftë kundër shqiptarëve dhe djegien e xhamive. Raportimet e tilla kanë ardhur kryesisht nga media të afërta me pushtetin aktual, ndërsa në mbështetje të raportimeve të tilla dolën edhe figura të caktuara. Ndonëse të transmetuara publikisht, organet hetuese nuk kanë ndërmarrë asnjë hap në zbardhjen e rasteve të cilat cenojnë sigurinë e qytetarëve të Maqedonisë.
Adrian Kerimi