Samiti vjetor BE–Ballkani Perëndimor ka mbledhur sot në Bruksel liderët e Bashkimit Evropian dhe krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, i konsideruar si kyç për procesin e zgjerimit. Diskutimet pritet të fokusohen në Paketën e Zgjerimit 2025 dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh, që synon afrimin ekonomik dhe përshpejtimin e reformave. Samiti shërben edhe për mbështetjen e vendeve të tjera të rajonit, me vëmendje të veçantë te bllokada e Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjes me Bullgarinë.
Ndërkaq, Danimarka ka publikuar sot propozim-konkluzionet e Këshillit të BE-së për zgjerimin, të cilat, pasi nuk u miratuan në mbledhjen e djeshme të Këshillit për Çështje të Përgjithshme për shkak të kundërshtimit të Hungarisë ndaj pjesës që lidhet me Ukrainën, Danimarka, në cilësinë e saj si presidente aktuale e Bashkimit Evropian, i publikoi si “konkluzionet e Presidencës Daneze për zgjerimin”. Sipas dokumentit, Këshilli i BE-së përshëndet mbajtjen e integrimit në Bashkimin Evropian si një qëllim strategjik të Maqedonisë së Veriut, por i bën thirrje vendit të intensifikojë përpjekjet për avancimin e reformave të lidhura me aderimin në BE.
Po ashtu, theksohet se, vendi ende nuk ka zbatuar ndryshimet kushtetuese, për të cilat ishte angazhuar dhe konfirmohet gatishmërina e Këshillit për thirrjen e konferencës së dytë ndërqeveritare, pa vonesa të mëtejshme ose vendime shtesë politike, sapo të kryhet ndryshimi i Kushtetutës dhe për “hapjen e Klasterit 1 të negociatave sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me Kornizën e Negociatave”.
Konkluzionet e presidencës daneze për zgjerim
“Nevojiten veprime të shpejta dhe vendimtare me qëllim që vendi të përmbushë kriteret e Klasterit 1 – Vlerat Themelore, si dhe të intensifikojë përpjekjet për zbatimin e reformave, para së gjithash në fushën e shtetit të së drejtës, mbrojtjes së pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit dhe forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Këshilli po ashtu i ka bërë thirrje vendim që të miratojë kod të ri penal në pajtueshmëri me legjislacionin e BE-së dhe raportet ndërkombëtare. /SHENJA/


