Këshilli Gjyqësor ka kaluar një vit të turbullt dhe gjithçka që ka ndodhur në 365 ditët e fundit mund të jetë vetëm uvertirë e ditëve të reja emocionuese. Këshilli e filloi vitin 2024 me kryetaren e vjetër- të re, Vesna Damevan, e cila u ul sërish në krye të këshillit më 3 janar. Nga Dameva pritej që t’i zbatonte rekomandimet e Misionit vlerësues për përmirësimin e punës së Këshillit dhe mbi të gjitha garantimin e pavarësisë së tij.
Vendimi i parë i madh nën udhëheqjen e saj ishte iniciativa për shkarkimin e kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi. Për Ademin ka pasur akuza se nuk ka ardhur në seancat e këshillit, ankesa për presione ndaj gjykatësve suprem, por e gjithë kjo kishte rënë në ujë pas një diskutimi të tensionuar dhe shumëorësh të këshillit. Me atë rast, me shtatë vota për, këshilli votoi ndërprerjen e procedurës dhe lënien e Besa Ademit në krye të Supremes.
“Shpresoj që emocionet nga sot e tutje në lidhje me emocionet e bashkëpunimit mes Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatës Supreme, mes Kryetares së Këshillit Gjyqësor dhe Kryetares së Gjykatës Supreme, pavarësisht se kush është kryetar, do të vazhdojnë intensivisht, emocionet mënjanë dhe ja ku po ju informoj se do të hedh hapin e parë për të vazhduar atë bashkëpunim”, deklaroi Vesna Dameva, ish kryetare e Këshillit Gjyqësor.
Pasuan një sërë seancash të tensionuara për shkak se këshilli vazhdimisht përballej me kritika për partishmëri, mosvendosje të përgjegjësisë dhe shembulli më adekuat për këtë ishte ai me gjykatësin Pajazat Pajaziti. Këshilli Gjyqësor deri më sot nuk e ka dënuar gjykatësin, për të cilin vetë anëtarët kanë konstatuar se ka bërë shkelje duke lënë në arrest shtëpiak ish-ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin, i cili më pas ka ikur në Kosovë. Kjo ishte një mundësi tjetër për VMRO-në që kur ishte në opozitë të kërkonte shpërbërjen e plotë të Këshillit Gjyqësor. Me ardhjen në pushtet të VMRO DPMNE-së, megjithatë, nuk ndodhi shpërbërja e këshillit, por tashmë po përgatitet ligj i ri që do të rrisë kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit. Ndërkohë para deputetëve është paraqitur raporti për punën e gjyqësorit për vitin 2023, por nuk ka kaluar në Kuvend. Pas kësaj dhe retorikës gjithnjë e më të fortë të pushtetit për mosazhurimin e Këshillit, kryetarja Vesna Dameva vendosi të largohet nga posti i saj.
“Dhe kur nuk flitet për përmirësim të situatës në gjyqësor dhe pengohet nga pushteti dhe në mënyra të ndryshme, si kryeministri ashtu edhe politikanët e grupit qeverisës nga foltorja e parlamentit apo përmes shërbimit për shtyp shprehin qëndrim negativ ndaj këshillit gjyqësor, ndaj anëtarëve të këshillit gjyqësor, por më dëshpëruese nga të gjitha është se ata shprehin qëndrim negativ ndaj gjykatësve, shumica e të cilëve realisht nuk e meritojnë, mendoj se e vetmja gjë që më ka mbetur është ruajtja e paqes dhe rehatisë time dhe të familjes sime, prandaj jap dorëheqje të parevokueshme”, tha Vesna Dameva, ish kryetare e Këshillit Gjyqësor.
Pas tërheqjes së Damevës, këshilli zëvendësoi dy anëtarë të cilëve u skadoi mandati me anëtarë të ri, por nuk ka kryetar. Kjo sfidë do të mbetet edhe për vitin e ri 2025. E në vitin e ri do të shihet nëse dhe çfarë do të ndodhë me gjykstësin Enver Bexhetin, të cilin Këshilli Gjyqësor në të kaluarën vendosi të mos e shkarkojë atë për të cilin u konstatua se kishte mbajtur rastin Target – Fortesa ndaj ish-kreut të DSK-së, Sasho Mijalkov, shumë gjatë në sirtar. Ndërkohë, në fund të vitit 2024, Bexheti përfundoi në listën e zezë amerikane dhe gjykata nisi seancë të re nëse ai duhet të shkarkohet nga funksioni gjyqësor në Apel. Viti i ri do të japë edhe përgjigje nëse anëtarët e Këshillit të zgjedhur nga Kuvendi do të tërhiqen, që është mundësi ligjore që hapet pasi raporti për punën e këshillit mbeti i bllokuar në Kuvend. Tek tani na presin zhvillime të reja në lidhje me këshillin dhe funksionimin e tij dhe ndoshta gjëja më interesante do të jetë të shihet se si do të funksionojë këshilli me ndryshimet e reja ligjore, për të cilat qeveria pretendon se do të jenë garantues i pavarësisë së tij. /Alsat.mk