27 Shkurt
Kontrollet e kryera nga Gjykata Speciale në shtëpinë e ish kryeshefit të Drejtorisë së Pestë, Goran Grujevski kanë qenë të ligjshme. Këshilli penal në Gjykatën e Shkupit ka pranuar ankesën e Katica Janevës. Më një shkurt, gjykatësja në procedurë paraprake Aleksandra Pop Stefanija morri vendim me të cilin bastisjen e Prokurorisë Speciale e vlerësoi si të paligjshme, pasi prokurorët dhe hetuesit kanë qenë në shtëpinë e tij përderisa ai ka qenë në paraburgim në burgun e Shutkës. Dëshmitë që i ka siguruar ekipi i Janevës tani do të mund të përdoren në procedurën e mëtutjeshme. Specialja në shtëpinë e Grujevskit para një viti gjeti edhe disa dokumente ku i dyshuari ka evidentuar lëvizjet e prokurorëve special, ndërsa të dhënat i ka marrë nga agjentë të policisë sekrete.
Bastisja në shtëpinë e ish drejtorit të Drejtorisë së Pestë është kryer për rastin “Fortesa”. Grujevski dyshohet se ka shkatërruar dy sisteme përgjimi në vlerë prej 10 milion euro. Me njërin prej tyre, ilegalisht janë regjistruar bisedat telefonike në policinë sekrete. Përveç tij, ngarkohen edhe katër persona tjerë, mes të cilëve edhe ish ministrja e brendshme Gordana jankullovska.
Ndryshe, më 13 mars vazhdon gjykimi për lëndën “Fortesa 2” ku i akuzuari i parë është Goran Grujevski. Sipas Speciales, ish drejtori i DSK-së së bashku me 6 nëpunëse nga ky institucion kanë shkatërruar dokumente të policisë sekrete. Për seancën e ardhshme Specialja duhet të sigurojë dokument nga DSK-ja se provat e tyre janë të deklasifikuara dhe mund të përdoren në gjykatë.