Këshilli ekonomiko-social sot duhet të mbajë seancë, ndërsa në të pritet të bisedohet për pagën minimale, rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe për shportën konsumatore.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë dje njoftuan se do ta shtrojnë çështjen për rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe për rritjen e të gjitha pagave tjera për 6000 denarë. Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov në konferencë për shtyp theksoi se shporta minimale sindikaliste që e llogarit LSM-ja vitin e kaluar është rritur për 6.500 denarë, ndërsa këtë vit vetëm pjesa e ushqimit dhe pijeve nga përfundimi i masës së fundit është rritur për 2.000 denarë ose për 150 denarë janë rritur shpenzimet për jetë për një familje katër anëtarëshe.
Sipas Trendafilov, nuk qëndrojnë më justifikimet e Qeverisë se punëtorët dhe punëdhënësit duhet të ulen dhe të dakordohen për rritje të pagës minimale.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje deklaroi se paga mesatare duhet të jetë akoma më e madh, por se vetë fakti që bruto dhe neto paga janë rritur për më shumë se 11 për qind është dëshmi e mjaftueshme kundër akuzave se pagat janë stagnuar.
“Dua të them që paga mesatare duhet të jetë edhe më e lartë dhe ne, si Qeveri, vazhdojmë të punojmë në atë drejtim. Por vetë fakti që paga mesatare bruto dhe neto po rriten me më shumë se 11 për qind është një mohim për të gjithë ata, do të thoja nekrofilë në kuadër të opozitës, të cilët në periudhën e kaluar kanë ndërtuar dhe ushqyer vazhdimisht publikun me gënjeshtra se pagat nuk janë rritur, se pagat kanë ngecur, etj. Këto të dhëna që po vijnë tani janë provë e mjaftueshme se ata që, përveçse nuk thonë të vërtetën, por spekulojnë, ndërtojnë dhe krijojnë të pavërteta, nuk mund të arrijnë asgjë. Pikërisht për këtë është e tillë situata në opozitë dhe pikërisht për këtë populli ka humbur besimin tek ata”, deklaroi kryeministri Mickoski.
Të hënën në një deklaratë për mediat, Mickoski tha se në fazë përfundimtare është edhe analiza për inflacionin bazik dhe se së shpejti do të ketë masa kundër rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazike. Ai, siç deklaroi, pret që në seancën e KES t’i dëgjojë opinionet edhe të punëtorëve edhe të punëdhënësve.
“Për momentin kur do të përfundojë analiza, kuptohet se do të ketë masa. “Mendoj se analiza është tashmë në fazën e saj përfundimtare për të dalë me masa specifike dhe kemi tregues se pse po ndodh kjo, kështu që pres që shumë shpejt do të dalim me to”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pas hapjes së pishinës së mbyllur brenda shkollës “Nevena Goergieva – Dunja” në Kisella Vodë.
Mickoski me këtë rast theksoi se inflacioni në qershor ishte rreth pesë për qind në shumicën e vendeve evropiane. Në vend, Enti Shtetëror i Statistikave llogariti se në qershor inflacioni shënoi një rritje prej 4,5 për qind në bazë vjetore, ndërsa çmimet një rritje të lehtë prej 3.7 për qind.
Çështja për rëndësinë e shportës së konsumatorit ka kohë që vazhdon.
LSM-ja mban qëndrimin e saj se shporta e sindikatave, e cila i referohet shpenzimeve minimale të një familjeje me katër anëtarë, është i vetmi operacion statistikor relevant që tregon se si jetojnë njerëzit në vend.
Në konferencën e djeshme për shtyp, kryetari i LSM-së e porositi Qeverinë që të krijojë një shportë qeveritare, nëse e merr në konsideratë shportën minimale të sindikatës, por edhe të hapë “bufenë qeveritare si mensë punëtorësh”.
Nga Qeveria, nga ana tjetër, paralajmërojnë pesë shporta konsumatorësh (për një çift të ri bashkëshortor, për një familje me tre anëtarë, për një familje me katër anëtarë, për një person të vetëm dhe për pensionistët) sepse, siç thonë ata, kategori të ndryshme të qytetarëve kanë nevoja të ndryshme.