Kryetari i arrestuar i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, pritet të dalë të hënën para Gjykatës së Posaçme të Apelit për të shqyrtuar kërkesën e tij për ndryshim të masës së sigurisë. Përmes avokatëve, Veliaj kërkon lirimin nga qelia dhe zëvendësimin e masës aktuale me garanci pasurore.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që nga 10 shkurt 2025, ndërsa po hetohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Së fundmi, Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka shtuar edhe një akuzë të re për “Refuzim për deklarimin, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave private”, sipas nenit 257/a/2 të Kodit Penal.
Kjo akuzë lidhet me dyshimet për interesa pasurore të Veliajt dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, në dy pasuri fqinje me apartamentin e tyre në zonën e Selitës (rezidenca Kodra e Diellit).
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për një pasuri të paluajtshme në emër të subjektit tregtar “A.K.” shpk.
Gjithashtu, Veliaj ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë për të njëjtën çështje, por ende nuk është caktuar data e shqyrtimit dhe trupa gjykuese që do të merret me rastin.