65 vjeçari Pançe Angellov, sot në seancë gjyqësore pranoi fajin për dhunën e kryer ndaj deputetes Radmilla Sheqerinskës në Kuvend më 27 prill. Para gjykatëses ai tha se pendohet dhe kërkoi dënim më të butë. Ai i kërkoi falje Sheqerinskës dhe opinionit publik të vendit duke u arsyetuar, se në atë moment ka vepruar nën ndikimin e momentit euforik. Në fund përsëri tha se qëllimi i tij nuk ka qenë që ta lëndojë Sheqerinskën, por ka dashur vetëm ta largojë nga turma.
“Nuk e kam goditur. Vetëm e kam kapur për flokë dhe e kam tërhequr. Njerëzit thonin është femër, është femër, lëshoje, dhe unë vetëm e mora dhe e largova prej atje. Dhuna nga unë, në qoftë se është dhunë, aq ishte”, tha Pançe Angellov, i akuzuar për dhunën ndaj Sheqerinskës.
Avokati i tij i cili e përfaqëson, kërkoi nga gjykata që ta ketë parasysh moshën e tij dhe atë se ai nuk ka qenë i dënuar paraprakisht.
“Unë e kam të qartë se do t‘i shqiptohet dënim me burg, por sa i përket rastit konkret, mendoj se duhet të ketë rrethana lehtësuese në dobi të të akuzuarit, të cilat do të mundësojnë shqiptimin e dënimit me kusht”, tha Dragan Peshevski, avokat.
Prokurorja në sallën e gjykatës tha se prania e fajit është në korrelacion me provat. Ajo shtoi se edhe pse Angellov ka vepruar në mënyrë të dhunshme pa pasur motiv për këtë, e ka keqpërdorur pafuqinë e viktimës. Andaj, nga gjykata kërkoi që të ketë parasysh se kjo vepër penale është kryer në Kuvend, ndërsa dhuna është ushtruar ndaj deputetëve. Ministrja e mbrojtjes, atëherë deputetja, Radmilla Sheqerinska, e përsëriti qëndrimin e saj se qëllimi i sulmuesve në Kuvend ka qenë që të lëndojnë ose të vrasin dikë, por shtoi se pret që edhe porositësit e asaj dhune të mbajnë përgjegjësi për këtë rast. Për Angellov tha se pret aktgjykim të drejtë.
“Ata që i kanë organizuar të akuzuarit, ata që ua kanë hapur dyert të akuzuarve, personat që e nxitën dhunën, sot nuk janë këtu. Sot ata fshihen, duke ua lënë përgjegjësinë kryerësve të dhunës. Komentimi i fundit ka qenë se ata deshën që të na ndihmojnë. Unë nuk i dëshiroj askujt një ndihmë të këtillë”, tha Radmilla Sheqerinska, Ministre e Mbrojtjes.
Për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, ku janë lënduar dhjetëra deputetë, por edhe qindra qytetarë, deri më tani vetëm 9 prej sulmuesve janë gjykuar. Ata e pranuan veprën dhe morën dënime me kusht.