Tregim
Kur hyri në kafene, atë mbasdite, ishte akoma herët. U ul në një tryezë, pikërisht pas xhamit të madh që shikonte nga rruga kryesore. Porositi kafe. Në tryezat e tjera, luanin letra ose diskutonin. Erdhi kafeja. Ndezi cigaren, ngriti me qetësi filxhanin e surbiti dy herë dhe hapi gazetën e mbrëmjes.
Fronte të reja lufte kishin nisur në Indokinë.
”Humbje të mëdha kishte si nga njëra palë dhe tjetra”, shkruhej në telegram.
“Një tjetër mjet japonez që u kthye me ngarkesë radioaktivie”.
“Hija e një lufte të re botërore shtrihej nëpër botë”, ishte titulli i një lajmi tjetër.
Pastaj lexoi të tjera gjëra:mangësitë në buxhet, probleme të edukimit pedagogjik, një rrëmbim, një përdhunim, tre vetvrasje. Dy prej tyre, për çështje ekonomike. Dy të rinj, tridhjetë e tridhetë e dy vjeç. I pari hapi gazin e u mbyt, i dyti u vetvra me rovole. Gjetkë lexoi një kritikë për një recital muzikor nw pjano, pastaj diçka për modën, në fund: “Ndryshimet në jetën shoqërore”. Koktej pardje për nder të zotit dhe zonjës M.T. Dukshëm bukuria dhe finesa e zonjës B.H me veshje qepur pas trupit, me lule plot ngjyra të ndezura, me pak fjalë tepër shik. Paraqitje elegante rinoshja O.N…
Ndezi dhe një cigare tjetër. Hodhi një sy tek “ Informacionet e shkurtra”.
Shitet vila njëkatëshe, me konstruksion të mrekullueshëm, me katër dhoma, holl,. kuzhinë, banjerë të gjerë, W.C Jepet me qera hyrje në katin e dytë me dhoma të punuara kryesisht me kujdes, të ajrosura boolshwm, që i rreh dielli…Kërkohet një pjano të blihet… Mendimet qerthulloheshin në mendjen e tij. Qysh atëhere që përfundoi lufta e dytë botërore, hija e të tretit nuk kishte ndaluar të shetwsonte njerëzit. E mes të tjerash gjaku derdhej , dje në Kore, sot në Indokinë, nesër…
Kaloi dorën nëpër flokë. Fshiu djersët në ballë; kishte djersitur, edhe pse nuk bënte vapë. Lufta, bomba me hidrogjen, vetvrasjet për çështje ekonomike, “ndryshimet sociale” … Kjo ishte panorama e jetës! Nuk kishte ndryshuar aspak drejt përmirësimit jeta pas luftës. Të gjitha janë njëlloj siç ishin dikur. Megjithatë kishte shpresuar dhe ai, ashtu siç kishin shpresuar miliona njerëz në botë, se pas luftës, pas kaq shumë gjaku të derdhur, diçka do ndryshonte. Se do vinte paqja, se tmerri i luftës nuk do mbulonte më tokën tonë, se nuk do të bëheshin tashmë vetvrasje për çështje ekonomike, se…
Po e mbysnin mendimet. Disa drita ishin ndezur në dyqanet përballë. Në kafene akoma jo. I pëlqente kështu, në gjysëm errësirë.
Mendoi shqetësimet që mbizotërojnë tek njerëzit sot. Shqetësime në sferën e ideve, në sferën sociale, shqetësime… Nuk kishte faj gazeta që e imponoi tashti të zhytej në këto mendime. I sillte nëpër mend të gjitha këto kohët efundit herë më qetë, e më i përmbajtur, e herë më nervoz. Mendonte anën e errët të jetës. Mendonte paqen, këtë pritje të shumë ëndërruar, që varej në një fije peri. Mendonte varfërinë, mizerjen…Mendonte frikën që po rrënjosej në zemrat e njerëzve.
Në pasqyrë, në brinjë të tij, kqyri fytyrën. Një fytyrë e zakonshme si përherë. Asnjw tipar nuk shprehte tronditjen që përjetonte. Kishte marrë pjesë me armë në dorë, në front, dhe ai në luftën e fundit. Dhe kishte shpresuar. Kurse tashti më së fundi ishte pa shpresë. Po, nuk kishte frikë t’ia thoshte vetvetes që ishte pa shpresë, që ishte shpresëhumbur. Një varg me zhgënjim – shprese ishte jeta e tij. Kishte shpresuar atëhere…, kishte shpresuar më pas…
Dikur, vite më parë, kishte shpresuar tek komunizmi. Por ishte zhgënjyer dhe aty. Tashmë nuk kishte shpresë tek asnjë ideologji! Kërkoi edhe një gotë ujë. Ai zhgënjim nga lloj – lloj ideologjish ishte sigurisht një fenomen i përgjithshëm. Dhe mbi zhgënjimin, ishte lodhja, cfilitja, indiferentizmi, ku më të shumtët, pra shumica e ndjen këtë në ideologjitë e ndryshme.
Hodhi vështrimin tek trolej që po kalonte vazhdimisht në rrugën kryesore, njerëzit…përpara tij , gazeta e hapur. Të gjitha ato që kishte parë dhe herë tjetër: hija e luftës së re, Indokina, dy vetvrasjet për çështje ekonomike, “ndryshimet sociale”…
-Cigare! një kalimtar hyri.
Mori paketën.
Në të gjashtë faqet e gazetës: Jeta. Dhe ai , ishte tashmë një njeri që nuk kishte shpresë. Kujtoi, para shumë vitesh, ishte ende djal atëhere, kur ishte sëmurë rëndë një teze e tij, kushërirë e nënsë së tij. Jetonte në shtëpinë e tyre. Erdhi mjeku; duke dalë nga dhoma e të sëmurës, tha me një siguri të plotë:
-Nuk ka më shpresë!
Kështu dhe ai, tashmë, kishte arritur në momentin final të thotë:
-Nuk ka më shpresë!
Iu duk e tmerrshme që ishte pa shpresë. Parandjente se të tjerët në kafene e shikonin , madje dhe të tjerët nga rruga mendonin dhe pëshpërisnin mes tyre: “ Ai atje nuk ka shpresë!” Sikur ky të ishte një krim. Sikur ai të kishte një shenjë tek vetja që e tradhtonte. Sikurtë ishte i zhveshur, lakuriq mes të veshurve.
Kujtoi tregimet që kishte shkruar, duke treguar kështu një rrugëdalje prej ankthit . Trajtonte tema të kohës: të luftës, të fatkeqësisë sociale…Ndërkohë kurrë nuk mori guximin t’i botojë. Kish frikë! Friksohej nga cilësimi që me siguri do t’i jepnin njeri apo tjetri. Jo, duhej t’i botonte! Në djall të shkonte etiketa, cilësimi! Ai ishte një njeri, asgjë më tepër. As i majtë e as i djathtë. Një njeri që kishte shpresuar dikur, paçka që tashmë nuk ka shpresë, dhe që e ndjen për detyrë ta thotë atë. Sigurisht, të tjerët do kenë shpresë, mendoi. Nuk mund të mos kenë.
Hodhi përsëri një vështrim nga gazeta. Indokina, “ndryshimet sociale”, recital për pjano, dy vetvrasjet për çështje ekonomike, “ informacionet e shkurtra”…
Kërkohet makinë shkrimi…
Kërkohet radiogramafon…
Kërkohet një xhip në gjëndje të mirë…
Kërkohet një tapet Persian
Nxori bllokun e tij, shkëputi një fletë dhe shkruajti me laps:
Kërkohet shpresë.
Më poshtë vendosi emrin e tij dhe adresën. I foli kamerjerit. Donte të paguante, të shkonte drejt e tek gazeta të dorëzonte kërkesën dhe t’u lutej, të këmbëngulte që të botohej patjetër në numrin e të nesërmes.
(I shkëputur nga libri me tregime të Antonis Samarakis- “Kërkohet shpresë”)