Shumë nga drejtorët ekonomik nëpër Spitalet e vendit vazhdojnë të mbajnë këta pozita, pavarësisht se shkarkimi i tyre u paralajmërua muaj më parë nga ish ministri i Shëndetësisë Arben Taravari i cili e pati cilësuar si të panevojshme pozitën e tillë nëpër spitale, duke thënë se rroga e drejtorit ekonomik mund të shfrytëzohet për plotësimin e mungesave të tjera.
Muaj më parë filloi shkarkimi i disa prej tyre, por ky proces u ndërpre derisa dikasteri i Shëndetësisë mbeti pa të parin e saj. Shoqatat joqeveritare të cilat merren me probleme në Shëndetësi kërkojnë shkarkimin e drejtorëve të mbetur duke thënë se derisa pacientët vuajnë mungesën e terapive të shumta, vendi nuk ka luksin për të paguar nga dy drejtorë nëpër Spitale.
“Rroga që e marrin drejtorët ekonomik realisht mendoj se ata para mund të shfrytëzohen për nevojat e pacientëve p.sh. për ata që përballen me problemin e kuotës për listën pozitive të ilaçeve. Drejtorët ekonomik, konkretisht po fokusohen te ai i Klinikës së Fëmijëve meqë kam pas rast është joproduktiv madje dëmtojnë pacientë. Kemi pasur situata gjatë periudhës së kaluar kur madje u angazhuan shoferë pas tij që ta gjejnë për të nënshkruar një leje për furnizimin me ilaçe për një sëmundje të caktuar. Mos shkojmë më larg, dhjetë vite më parë si ka funksionuar shoqëria me nga një drejtor në Klinika? Për çfarë ishin të nevojshëm dy drejtorë? Nëse Qeveria e re sheh që të kursejë në çdo aspekt, po themi publikisht që me të vërtetë nuk kemi nevojë që të ketë nga dy drejtorë” – u shpreh Aleksandar Petrovski, Shoqata “Rast”.
Nga ministria e Shëndetësisë refuzojnë të japin detaje se sa është numri I drejtorëve ekonomik të cilët për momentin po ushtrojnë këtë post dhe sa prej tyre janë shkarkuar. Sipas informacioneve që ALSAT posedon, mbi 60% janë shkarkuar ndërkaq ata të cilët ende po mbajnë këtë post janë kryesisht kuadri I BDI-së të cilët patën kërkuar nga Taravari që shkarkimi I tyre të bëhet pas zgjedhjeve lokale.
Ministria e Shëndetësisë
“Me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mbrojte shëndetësore i cili tani është në procedurë parashihet ndërprerja e funksionit drejtor ekonomik. Në shtëpitë e shëndetit në të cilat ende ka drejtorë organizativ deri në sjelljen e ndryshimeve ligjore parashihet që të shkarkohen, gjegjësisht më së voni deri në sjelljen e Ligjit dhe hyrjen e tij në fuqi , do të ju ndërpritet mandati personave të tillë”.
Nga ministria e Shëndetësisë poashtu nuk japin informacione nëse ata drejtorë të cilët janë shkarkuar kanë marrë ndonjë post tjetër, sic ishte parashikuar që të njejtët të jenë udhëheqës të administratave spitalore. Ndryshe, ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për mbrojtje shëndetësore shkojnë me intensitet shumë të ulët./Alsat-M