Ministri për diasporë, Edmond Ademi, ka propozuar në Komisionit për reformën zgjedhore të ngritur pranë Ministrinë së drejtësisë, që pjesëtarët e pakicës maqedone në vendet fqinje të fitojnë të drejtën e votës. Sipas këtij propozimi, pjesëtarët e kësaj pakice në vendet fqinje, padallim nëse kanë marrë shtetësinë maqedone ose jo të mund të votojnë në përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë në vendet fqinje ose në vendet tjera ku përkohësisht jetojnë dhe punojnë.
Ajo që bie në sy në propozimin e Ademit është terminologjia e re që përdoret. Në kodin zgjedhor përdoret termi “shtetasit e Maqedoni me qëndrim të përkohshëm jashtë vendit”, ndërsa tani përdoret një term i paqartë, siç është “pjesëtarët e pakicës maqedone në vendet fqinje”.
“Përfaqësuesve të diasporës me prejardhje nga Maqedonia jashtë vendit dhe pakicës kombëtare maqedone në vendet fqinje, për të lehtësuar procesin zgjedhor dhe qasja e votuesve në vendvotimet jashtë vendit, veçanërisht për ato që janë në distanca të mëdha gjeografike nga përfaqësitë diplomatike jashtë vendit, t’u mundësohet të votojnë në përfaqësitë diplomatike, edhe pse përfaqësia diplomatike mund të ndodhet në një vend tjetër nga ai ku votuesi qëndron”, thuhet në propozimin me shkrim të ministrit Ademi.
Terminologjia e re mund të shkaktojë konfuzion dhe keqpërdorime në zbatimin e ligjit sepse kështu si është e denfinuar i bie që pjesëtarët e pakicës etnike maqedonase në vendet fqinje, në Bullgari, Greqi, Serbi, Shqipëri dhe në Kosovë të vendosin për fatin e Maqedonisë.
Ministri për diasporë, Edmond Ademi, thotë se qëllimi i propozimit është vetëm për shtetasit e Maqedonisë që ndodhen në diasporë dhe pakicat maqedonase në mënyrë që t’u lehtësohen procedurat për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.
“Ai që nuk ka pasaportë të Maqedonisë nuk mund të votojë. Sigurisht se pari duhet të regjistrohen se do të votojnë dhe të tregojne se në cilën pikë konsullare do të votojnë. Nuk voton askush që nuk ka shtetësi të Maqedonisë”
Në kodin zgjedhor definohet se të drejtën e votës jashtë vendit e kanë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë që posedojnë pasaportë biometrike dhe njëkohësisht kanë vendbanim në Republikën e Maqedonisë. Mund të votojnë edhe ata që janë në listën zgjedhore dhe jetojnë jashtë vendit me shumë se tre muaj. Ata duhet të paraqiten se duan të votojnë dhe pasi të regjistrohen mund të ushtrojnë të drejtën e votës.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com