13 May
Sulmi ndaj deputetëve dhe gazetarëve natën e 27 prillit duhet të zbardhet sa më parë, apelojnë ekspertët. Avokati Aleksandar Novakovski vlerëson se veprat penale të dhunuesve duhet të kualifikohen në bazë të dëshmive të deputetëve që u rrahën në mënyrë brutale dhe dëshmitarëve të tjerë.
Do të ishte shumë e rëndësishme që nga deklaratat e të dëmtuarve dhe të dëshmitarëve, prokuroria publike t’i kualifikojë veprat ndaj personave të caktuar. Pasi sulmi ndaj deputetëve të cilëve iu rrezikua jeta, nuk guxon asnjëherë të mbetet i pa zbardhur. Duhet të jemi të kujdesshëm. Gjithsesi është hetim serioz. Po ndërmerren aktivitete serioze – tha avokat Aleksandar Novakovski.
Por për ekspertin e sigurisë, Vlladimir Pivovarov është qesharake që shumica e të dyshuarve akuzohen për veprat penale “pjesëmarrje në turmë që do të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare’ dhe “pjesëmarrje në turmë që do të kryej vepër penale”. Në video materialet e shumta sipas tij, shihet qartë se bëhet fjalë për tentim për vrasje. Pivovarov fton prokurorinë publike të jep urdhër për masa edhe ndaj dhunuesve të maskuar.
Mendoj se tashmë edhe publiku i di se kush janë ata persona. Pyetja është a do të jep prokurori publik urdhër për kapjen e tyre, respektivisht për dëgjimin e tyre dhe vendimin e mëtejshëm gjyqësor, nëse personat do të vendosen në paraburgim deri ne përfundimin e procedurës, a do të mbrohen në liri ose ndonjë masë alternativë e tretë siç është burgu shtëpiak. Në kushte normale, te një polici profesionale mendoj se 24 orë janë shumë për identifikimin, kapjen e personave, kuptohet sipas procedurës ligjore dhe të fillojë gjyqi të punojë në zbardhjen e këtyre rasteve. Pra ky është një nga operacionet më të lehta sepse kemi material të gjallë – tha në telefon eksperti i sigurisë Vlladimir Pivovarov.
Ministria e Punëve të Brendshme ka identifikuar dhjetëra dhunues. Ndaj disa prej tyre Prokuroria Publike ka shqiptuar fletëparaqitje penale, me disa ka zhvilluar biseda informative dhe është në kërkim e sipër të disa të tjerëve. Megjithatë akoma nuk është shqiptuar asnjë masë as ndaj personave të maskuar e as ndaj organizatorëve të protestave.
Anesa Aliti

