(Fjalimi i Mevlan Ademit, përfaqësuesit të Lëvizjes Studentore në debatin publik “(Mos)zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve: Zgjidhjet dhe pasojat” të organizuar nga Lëvizja Studentore dhe organizata Demokracy Lab)
Të nderuar të pranishëm,
Faleminderit që i jeni bashkuar këtij bashkëbisedimi me ekspertë juridikë për të ndriçuar dhe qartësuar dilemat që janë ngritur rreth kërkesës sonë legjitime dhe kushtetuese.
Kjo kërkesë e kahershme nuk lindi dje dhe nuk u artikulua fillimisht përmes protestës. Përkundrazi, ajo u parashtrua në mënyrë institucionale që në prill të vitit 2024. Më vonë kuptuam se ministri i atëhershëm i Drejtësisë, z. Krenar Lloga, kishte proceduar tashmë në Kuvend zgjidhjen ligjore të kësaj çështjeje, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Megjithatë, me ndryshimin e qeverisë, këto projektligje u tërhoqën nga procedura dhe nuk u miratuan.
Më pas nisi një kalvar i gjatë përpjekjesh për të gjetur mirëkuptim institucional. Falë ndërmjetësimit dhe angazhimit të Ambasadorit Meidani, patëm mundësinë të zhvillonim takime me figura të larta shtetërore, përfshirë zëvendëskryeministrin z. Arben Fetai dhe kryetarin e Kuvendit, z. Afrim Gashi. Në këto takime dëgjuam premtime dhe morëm garanci se do të shqyrtoheshin zgjidhje konkrete. Fatkeqësisht, ato mbetën pa epilog dhe pa rezultate të prekshme.
Pas kësaj faze, studentët e Fakultetit Juridik ndërmorën një hap tjetër institucional duke dorëzuar peticionin e tyre. Kjo shënoi fillimin e një etape të re, gjatë së cilës zhvilluam takime me deputetë, përfaqësues institucionesh dhe vendimmarrës në nivelet më të larta, deri te Kryeministri i vendit.
Megjithatë, përkundër gjithë këtyre përpjekjeve, u përballëm me mesazhe kontradiktore, me zvarritje burokratike dhe me një mungesë vullneti për të adresuar seriozisht kërkesën tonë. Shpeshherë krijohej përshtypja se kjo zvarritje nuk ishte thjesht pasojë e procedurave administrative, por një mënyrë e qëllimshme për ta shtyrë zgjidhjen e problemit.
Pikërisht kjo na nxori në rrugë për të kërkuar të drejtën tonë përmes protestës paqësore. Në vend të dialogut, u përballëm me përpjekje për etiketim, baltosje dhe sabotim të organizimit tonë studentor. U përballëm me intriga, sulme dhe akuza të ulëta që synonin të përçanin studentët, të vinin në dyshim motivet tona dhe të krijonin ndasi artificiale mes nesh.
U aludua për interesa të fshehta, për ndikime politike dhe për agjenda që nuk kanë pasur kurrë lidhje me kauzën tonë. Edhe unë personalisht, ashtu si shumë prej jush dhe shumë miq tanë, u bëmë objekt i këtyre sulmeve. Është e vështirë të kuptohet se si mund të sulmohen të rinj që nuk kërkojnë privilegje, por vetëm trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave që u garantohen me ligj.
Megjithatë, asnjë nga këto përpjekje nuk arriti ta zbehë unitetin, dinjitetin dhe vendosmërinë tonë.
Përkundrazi, ky proces na bindi edhe më shumë se kërkesa jonë është plotësisht legjitime, kushtetuese dhe ligjore. Njëkohësisht, ai nxori në pah një problem shumë më të gjerë: faktin se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në shumë raste ose nuk zbatohet fare, ose zbatohet në mënyrë selektive, sipas interpretimeve arbitrare dhe vullnetit të titullarëve të institucioneve.
Për këtë arsye, kërkesa jonë sot nuk kufizohet më vetëm te provimi i jurisprudencës. Ajo është shndërruar në një kërkesë parimore për zbatimin e plotë, konsekuent dhe pa ekuivok të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Sepse një shtet i së drejtës nuk i zbaton ligjet pjesërisht, nuk i zbaton ato në mënyrë selektive dhe as sipas bindjeve ideologjike apo interesave partiake të qeverisë së radhës.
Në këtë rrugëtim, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë ata që na kanë dëgjuar me seriozitet dhe respekt. Falënderojmë Ambasadorin Meidani për angazhimin e tij të vazhdueshëm në lehtësimin e komunikimit institucional. Falënderojmë gjithashtu Ambasadën e Bashkimit Evropian dhe Ambasadorin Roccas, Ambasadën e Italisë dhe Ambasadorin Paolo Palminteri, si dhe përfaqësues të ambasadave të tjera mike, përfshirë ato franceze dhe britanike, të cilët na kanë pritur, na kanë dëgjuar me kujdes dhe kanë treguar gatishmëri për të kuptuar shqetësimet dhe argumentet tona.
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë stoikë në këtë kërkesë, sepse ajo nuk cenon askënd. Përkundrazi, ajo forcon besimin e qytetarëve te shteti, garanton barazinë para ligjit dhe ruan dinjitetin e secilit qytetar.
Jemi të gatshëm të diskutojmë me profesorë të juridikut, ekspertë të fushës, institucionet dhe shoqërinë civile. Ne nuk kërkojmë zgjidhje gjysmake dhe as kompromise që vetëm e shtyjnë problemin për nesër. Kërkojmë një zgjidhje të vërtetë, të drejtë dhe të qëndrueshme.
Këtë ia kemi borxh brezit tonë, por mbi të gjitha ua kemi detyrim brezave që do të vijnë pas nesh.
Ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe shpresoj që ky diskutim të jetë i frytshëm, informues dhe të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjeve që i shërbejnë sundimit të ligjit, respektimit të Kushtetutës dhe zbatimit të barabartë të ligjeve për të gjithë qytetarët.


