Presidentja, Vjosa Osmani, ka thirrur gazetarët në Presidencë dhe po mban konferencë për media. Osmani gjatë kësaj konference tha se ka marrë dhjetëra kërcënime me jetë. E para e shtetit theksoi se ndihet keq që vajzat e saj duhet të përcillen me mbrojtje të afërt, por këto janë protokolle të sigurisë.
“Dje janë publikuar një sërë shpifjesh. Është pengesa më e madhe përcjellja nga mbrojtja e afërt. Vajzat e mia e urrejnë atë përcjellje, ua pengojnë fëmijërinë normale, ua pengojnë lojën normale, ato nuk duan asgjë tjetër thjeshtë të luan e të mësojnë e të rriten sikur bashkëmoshatarët e tyre”, tha Osmani.
“Rregullat e sigurisë as nuk i kam shpik unë, as nuk i kam sjell unë, ato kanë qenë të njëjta edhe për presidentë paraprakë, edhe për presidentët e ardhshëm. Me Ligj përcaktohet që presidentja dhe familja kanë mbrojtje të afërt dhe kanë nivelin e rrezikshmërisë të lartë. Nuk besoj që asnjë prind do të donte që të merrte kërcënime të vazhdueshme me plumb në ballë për veten ose fëmijët e vet, unë i marrë ato vazhdimisht. Nuk besoj që ka prind që do të donte që vajzat e veta të kërcënohen me dhunim. Nuk ka prind që do të donte t’i izolonte nga loja, ne detyrohemi ta bëjmë një gjë të tillë sepse ka dhjetëra kërcënime me jetë. Ka një kërcënim që ka ardhur nga serbët ku është postuar fotografia ime dhe e vajza të mia, ku thuhet “do të vdisni së shpejti”.
“Publikohen fotot e snajperit të drejtuar nga vetura ime, përkundër dhjetëra kërcënimeve me jetë, është hera e vetme në historinë e institucioneve që drejtësia nuk ka ndërmarrë asnjë masë, zero. Duhet të pyesni në favor të kujt shkon që një president i shtetit kushdo qoftë, mos ta ketë trajtimin e barabartë në sistemin e drejtësisë”, deklaroi Osmani.