Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njofton se Njësia e Antiterrorit në Policinë e Shtetit do të pajiset me dronët më të fundit të prodhimit amerikan, që jo vetëm do luftojnë elementët kriminalë, por do mbrojnë kufijtë dhe do gjurmojnë kontigjentët e dhunshëm.
Kjo nismë vjen pas njoftimit të mëparshëm se në Shqipëri ekziston rreziku nga kërcënimi prej Iranit pas konfliktit në Lindjen e Mesme. Qeveria shqiptarë e cilësoi “hamendësim” këtë paralajmërim, duke marrë kritika të forta nga i gjithë opinioni në vend dhe faktori politik.
Sipas ambasadës, këta dronë janë të pajisur me teknologji të avancuar të imazheve termike, duke mundësuar monitorim të vazhdueshëm si gjatë ditës ashtu edhe natës.
“Njësia e Antiterrorit në Policinë e Shtetit po pajiset me dronët më të fundit të prodhimit amerikan. Me teknologjinë e imazheve termike, këta dronë mund të rrisin aftësinë e Policisë së Shtetit në monitorimin e situatave ditë e natë për të mbrojtur kufijtë dhe për të gjurmuar elementët e dhunshëm”, thuhet në postimin e ambasadës së SHBA në Tiranë, në rrjetin social Facebook.
Nëpërmjet video-postimit shpjegohet se Policia e Shtetit do pajiset me teknologjinë më të mirë të dronëve, që do rrisin cilësinë e ndjekjes dhe gjurmimit, si dhe efikasitetin. Gjithashtu ambasada njofton se po bëhet edhe trajnimi i domosdoshëm i efektivëve shqiptarë për përdorimin e këtyre pajisjeve.
Ky investim synon të rrisë ndjeshëm kapacitetet operacionale të Policisë së Shtetit, veçanërisht në kontrollin e territorit dhe forcimin e sigurisë kufitare.
Ambasada amerikane thekson se mbështetja ndaj institucioneve shqiptare në fushën e sigurisë mbetet një prioritet, duke synuar rritjen e standardeve dhe eficiencës në luftën kundër kërcënimeve të ndryshme.


