Shkruan Lutfi Dervishi
Tragjedia e djegies së diskotekës në Koçan, ku 60 persona humbën jetën, ka tronditur gjithë shoqërinë e Maqedonisë së Veriut dhe përtej.
Që në orët e para, reagimet publike u drejtuan nga politika. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke komentuar konferencën për shtyp të nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademi, tha se: “Nuk ka vend për politikë në këtë çështje. Do të përgjigjeni të gjithë, dhe nuk do të ketë mëshirë.”
Mickoski ishte i shqetësuar pse Ademi e mbajti konferencën në mesnatë. Po të kishte fjetur nuk do të kishte asnjë problem.
Megjithatë, kur flasim për tragjedi të tilla kaq të rënda, nevoja për të gjetur fajtorin duket se përzihet me përpjekjet për të tërhequr vëmendjen. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit: shndërrimi i çdo fatkeqësie njerëzore në debat politik, duke harruar pyetjet mbi përgjegjësinë dhe masat parandaluese.
Janë disa pyetje të thjeshta që nuk po marrin përgjigje :
A kanë përgjegjësi strukturat e sigurisë?
Kush kishte për detyrë të kontrollonte kushtet teknike dhe protokollet e sigurisë në diskotekë? Mos ndoshta BDI?
A janë kryer rregullisht inspektime? A ishin plotësuar dokumentet e nevojshme për shërbimet emergjente?
Si ka reaguar zjarrfikësi lokale? A ka pasur mjete të mjaftueshme?
Cilat institucione shtetërore mbanin përgjegjësi për të siguruar jetën e qytetarëve në ambjente publike? Apo është përgjegjëse BDI?
Në deklaratat e fundit, kryeministri Mickoski paralajmëroi se “nuk do të ketë tolerancë” ndaj atyre që ‘luajnë me kartën etnike’. Kjo do të thotë se, në vend të një hulumtimi të mirëfilltë mbi rrethanat e tragjedisë, po diskutohet për “kartë etnike”
Neglizhimi i analizës së thelluar teknike dhe institucionale, duke u kufizuar vetëm në shpërndarjen e fajit nuk është asgjë tjetër veçse tallje me publikun.
Pa një zbardhje të plotë, ka të ngjarë të shohim një tragjedi të ngjashme në të ardhmen.
Dhe se fundmi, por jo nga rëndësia: Në vend që të kujtohen jetët e humbura dhe të mbështeten familjet e tyre, vëmendja kthehet në akuza të ndërsjella.
Ajo që duhet të ndodhë urgjentisht është një proces hetimor i pavarur, ku hetuesit/prokurorët profesionistë të kenë mbështetje të plotë institucionale dhe transparencë publike. Kjo tragjedi duhet të bëhet pikë kthese në mënyrën se si trajtohen çështjet e sigurisë dhe standardet e ambjenteve publike. Vetëm kështu, opinioni publik mund të shohë se përgjegjësia mbartet me dinjitet dhe drejtësi.
Deklaratat e ashpra janë të pritshme në raste tragjedish të mëdha, por vlen të rikujtojmë se kur gjithçka bëhet politikë, rrezikojmë të lëmë pas dore atë që është qenësore: jetët e humbura dhe përgjegjësinë shtetërore e institucionale. Nuk është opozita që qeveris vendin!