Fondi Shëndetësor ka kryer 26 inspektime të jashtëzakonshme në institucionet publike shëndetësore brenda dhe jashtë Shkupit. Rezultatet janë alarmante. Në vetëm 8 institucione nuk janë gjetur parregullsi, ndërsa në 18 klinika janë zbuluar shkelje serioze.
Shkeljet më të rënda që ka konstatuar Fondi janë pagesa të fryra për kujdestaritë, në disa klinika është paguar orar i ndërrimit më shumë sesa është realizuar realisht. Dy drejtorë klinikash ia kanë rritur vetes pagat me 10%, pa bazë ligjore. Pas gjetjeve, drejtuesve të institucioneve u është kërkuar të kthejnë çdo denarë të marrë.
“Në 18 institucione ose rreth 70 për qind nga institucionet e kontrolluara janë konstatuar parregullsi në pagesën e pagave. Më e zakonshmja është se si llogariten kujdestaritë ku kemi 11 raste të tilla, kemi katër raste ku janë paguar shtesa për ndërrime dhe shtesa për kujdestari. Kemi dy raste ku është raportuar më shumë se 32 orë mujore për tejkalim të orarit të punës që është joligjore, kemi dy raste ku pagat e drejtorëve janë rritur jashtë ligjit dhe marrëveshjes kolektive dhe kemi 8 raste ku nuk na kanë dorëzuar dokumentet e kërkuara, ku janë të përfshira kujdestaritë dhe veprimtaritë tjera”, tha Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
Fondi Shëndetësor ka kryer edhe 37 inspektime në institucionet e Ndihmës së Shpejtë dhe Vizitave Shtëpiake. Në 14 prej tyre janë gjetur parregullsi, 12 jashtë Shkupit dhe dy në Shkup. Disa institucione kanë detyruar pacientët të paguajnë shërbime që duhet të jenë falas, një institucion i Ndihmës së Shpejtë ka punuar pa ampula kundër dhimbjeve. Ndërsa, është mbyllur Vizita shtëpiake në Shuto Orizarë për shkak të mungesës së stafit.
“Parregullsia më e shpeshtë është se në 7 institucione nuk ka çmimore të rregullt për pacientët, të gjitha institucionet shëndetësor kanë çmimore që i miraton Fondit Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë, pra kanë funksionuar me çmimet e tyre të brendshme. Dy institucione është konstatuar se kundrejt Fondit Shëndetësor kanë dorëzuar fatura të parregullta për shërbime, dy institucione i kanë detyruar pacientët të paguajnë shërbime që nuk është dashur ti paguajnë”, u shpreh Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
Klekovski nuk bëri të ditur se për cilat klinika konkretisht bëhet fjalë, por tha se inspektimet do të vazhdojnë edhe më tej, ndërsa nuk dha përgjigje se çfarë hapash do të ndërmerren pas zbulimit të këtyre parregullsive. Ai kujtoi se edhe në vitet e kaluara janë konstatuar shkelje të rënda, madje edhe vepra penale, të cilat janë dorëzuar në Prokurori por, sipas tij, nuk ka pasur asnjë reagim nga Prokuroria. Të gjitha këto gjetje do t’i dorëzohen Ministrisë së Shëndetësisë asaj së Financave dhe Entit Shtetëror të Revizionit./ Alsat.mk


