09 April
Profesori Jove Kekenovski vlerëson se lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski me retorikën e tij kërcënuese dëshiron që të vazhdojë ta keqpërdor popullatën për të shpëtuar lëkurën e tij. Sipas Kekenovskit me kalimin e kohës do të bie intensiteti i tensioneve edhe pse Gruevski i ndihmuar nga Ivanovi do të vazhdojnë të blejnë kohë me qëllim që zyrtarët e lartë të partisë së tyre të mos përgjigjen përpara drejtësisë dhe të mund të kënaqen me paratë e vjedhura nga qytetarët.
Kekenovski, presidenti Ivanov deklaroi se edhe nëse zgjidhet kryetari i Kuvendit, ai nuk do ta japë mandatin derisa Zaev të heqë dorë nga platforma, ndërsa Gruevski tha se kjo krizë nuk është se do zgjidhet për disa ditë dhe praktikisht e ftoi popullin të përgatitet për rezistencë afatgjatë. Si i komentoni këto deklarata të Gruevskit dhe Ivanovit dhe çfarë do të thonë këto në praktikë, a do të thotë kjo thellim i mëtejshëm i krizës politike?
“Kjo është edhe një përpjekje edhe nga njëri edhe nga tjetri për blerje të kohës. Njëri vazhdimisht thirret në popullin të cilin dëshiron ta përdorë si viktimë. Ne jemi dëshmitarë se ai deri më tani shumë herë e ka përdorur popullin për ta shpëtuar lëkurën e vet. Ndërsa nga ana tjetër, presidenti i shtetit duhet të dijë se patjetër duhet ta respektojë Kushtetutën e Maqedonisë, të mos e teprojë me shkeljet e Kushtetutës sepse për këtë ka përgjegjësi penale. Në pajtim me të gjitha aktet pozitive, nëse emërohet kryetari i Kuvendit, në pajtim me Rregulloren e punës së Kuvendit, sigurisht se ai do jetë i detyruar t’ia japë mandatin partisë politike e cila do të ofrojë program, përkatësisht programi i së cilës nuk do prekë integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin unitar të shtetit. Gjithçka tjetër do jetë vetëm arsyetim personal që nuk ka kurrfarë baze”, deklaroi Jove Kekenovski, analist.
A mendoni se praktikisht me këto deklarata vazhdohet kriza politike dhe a do kenë sukses përpjekjet e këtilla të VMRO-DPMNE-së që në këtë mënyrë të blejë kohë?
“Shohim se ata tani për tani po ia dalin, por po bie intensiteti. Ne jemi dëshmitarë se numër gjithnjë më i madh i qytetarëve janë të detyruar të vijnë në këto shëtitje, siç i quajnë ata dhe nga ana tjetër, gjithashtu një numër shumë i madh përpiqet t’u shmanget këtyre protestave. Dhe mendoj se ashtu si do kalojë koha, ashtu do të ulen tensionet. Në fakt edhe presioni ndërkombëtar dhe opinioni i përgjithshëm dhe që është më e rëndësishme, pjesa më e madhe e opinionit vendor është i vetëdijshëm përse bëhet e gjithë kjo. Kjo është blerje e kohës për të shpëtuar nga Prokuroria Speciale me qëllim që të mos përgjigjen dhe mundësisht të kënaqen me paratë e vjedhura nga populli dhe qytetarët e Maqedonisë”, tha Jove Kekenovski, analist.
Alsat-M