Këshilli i Maqedonisë për etikë në media vitin e kaluar ka shqyrtuar 96 nga 244 ankesat dhe parashtresat e marra për raportimin e mediave, ndërsa shumica 145 e ankesave që rezultuan të pabazuara kishin të bënin me tragjedinë në Koçan.
Duke qenë se informimi në masë të madhe është zhvendosur në hapësirën online, mediat online mbeten shkelësit më të mëdhenj dhe më të shpeshtë të Kodit të gazetarëve, thonë nga këshilli.
Në 96 ankesat e shqyrtuara më së shumti u shkel neni i parë i Kodit, pra kishte mungesë burimesh dhe “palës së dytë”; më pas vjen neni i tretë, kur mediat shpesh nuk publikojnë korrigjimet e gabimeve të tyre, dhe neni i dhjetë, që ka të bëjë me diskriminimin mbi baza të ndryshme.
“Do t’ju jap një shembull të shtrembërimit e pasqyrës për një ngjarje. Replikohen tituj të njëjtë se vizita e ministres nga Shqipëria ka kaluar pa flamur të Maqedonisë dhe media serioze u mashtruan nga kjo dhe dhjetëra tituj nga kjo u përsëritën. Meqë kishim ankesë për këtë rast, u vërtetua se kjo nuk ishte e vërtet, ndërsa bazohej në fotografi të publikuara nga një politikan në profilin e tij në rrjete sociale që për votuesit e tij ka dashur të pasqyrojë një gjë të tillë. Mediat për të satën herë me radhë u mashtruan për diçka që ndoshta ishte e qëllimshme apo jo, provokim apo jo, por detyrë e tyre është të kontrollojnë para se të sjellin një përfundim të tillë.”, – deklaroi drejtoresha ekzekutive e KEMM-it, Biljana Georgievska.
“Më të shkelura kanë qenë nenet 1, 3 dhe neni 10 i Kodit të Gazetarëve. Kjo përsëri tregon se neni 1 është bazë e gazetarisë dhe kjo reflekton se duhet të përforcohemi dhe të fokusohemi më shumë në edukimin mediatik dhe në kapacitetet e redaksive, duke marrë parasysh se disa portale online punojnë me kapacitete të reduktuara dhe jo çdoherë gabimet janë ato të cilat bëhen në mënyrë të vetëdijshme, por ndonjëherë nga presioni i kohës dhe mungesës së stafit të mediave.”, – deklaroi Leunora Kaliqi nga KEMM.
Nga këto ankesa, 78 ishin për faqe interneti, 11 për media të shtypura, gjashtë për ueb-faqe të televizioneve dhe një për televizion, ndërsa parashtruesit më të shpeshtë ishin politikanë dhe funksionarë publikë. (Florije Kamberi, TVM2)


