Komisioni Evropian dënon ashpër çdo retorikë nxitëse dhe të rrezikshme, përfshirë këtu edhe targetimin e përfaqësuesve e të bashkësisë ndërkombëtare në Shkup. Këtë e ka deklaruar sot zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiq, e cila ka thënë se retorika e tillë largon edhe më shumë vendin nga rruga euroatlantike, të cilën e duan dhe meritojnë qytetarët e këtij vendi.
“Ne presim që Qeveria e re të përkushtohet në zgjidhjen e sundimit sistematik të së drejtës, gjithashtu edhe të reformave urgjente prioritare dhe të vazhdojë implementimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve të kaluara politike. Ne do t’i mbështesim autoritetet në këtë drejtim”, ka thënë Maja Kocijaçiq.
Kocijançiq ka theksuar se Unioni pret nga të gjithë liderët politik në Maqedoni që të tregojnë përgjësi më të madhe. Ndërsa, ajo ka folur edhe mbi rivotimet që do të mbahen të dielën, duke thënë se Bashkimi Evropian pret që të gjitha partitë të marrin pjesë në mënyrë të qetë në rivotim, që të përfundoj procesi zgjedhor në Maqedoni dhe të zgjidhet Qeveri.
“Ne kemi ndjekur vendimet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe të Gjykatës Administrative. Tani duhet të jetë i lejueshëm procesi i ankesave dhe ankimimeve të zhvillohet sipas rrjedhës së vet, pa asnjë lloj intervenimi. Presim të gjitha partitë të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe të qetë në procesin demokratik, të mundësohet përfundimi i procesit zgjedhor dhe formimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re”, ka shtuar më tej ajo.
Kocijançiq këto komente i bëri gjatë përcjelljes së mesazhit të Komisionit Evropian në ditën e fundit para festave të fundvitit, me rastin e problematizimiz dhe mospërfundimit të procesit zgjedhor në Maqedoni.