Është bërë progres i mirë në lirinë e shprehjes, veçanërisht në përmirësimin e klimës për punën e mediave dhe zvogëlimin e presionit ndaj gazetarëve, konstaton KE-ja në raportin për përparimin e Maqedonisë.
Mediat dhe gazetarët nga mesi i vitit të kaluar munden më lirshëm ta kritikojnë sjelljen joadekuate të përfaqësuesve zyrtarë, pa cenzurë. Në konsultim me faktorë të ndryshëm është përgatitur Ligji për shërbime mediatike, audio dhe audiovizuale.
KE-ja, tregoi se, megjithatë i domosdoshëm është përmirësimi i mëtutjeshëm, duke përfshirë edhe reforma në servisin radiodifuziv publik dhe mbrojtje më të madhe të gazetarëve dhe të drejtave të tyre.
Duhet të ketë zero tolerancë për sulmet fizike dhe verbale dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Servisi radiodifuziv publik duhet të reformohet dhe të përforcohet pavarësia e tij. Janë rregulluar disa nga vërejtjet në raportet paraprake, veçanërisht për heqjen e reklamimit qeveritar dhe zvogëlimin e shtypjes ndaj gazetarëve që mundësoi raportim më të balancuar. Përveç reformave në servisin publik, KE-ja rekomandon masa për përkrahje të raportimit objektiv dhe shumëllojshmërinë e pikëpamjeve në mediat kryesore, përforcimin e profesionalitetit në media, si dhe sanksionimin e të gjitha formave të dhunës kundër gazetarëve.
Nevojiten edhe masa për promovim të klimës të volitshme për liri të shprehjes, nxitje të sjelljes profesionale për të gjitha palët e interesuara në media, profesionalizëm dhe raportim të saktë. Duhet të sigurohet edhe ndjekja adekuate e të gjitha rasteve të dhunës ndaj gazetarëve nga ana e organeve për zbatimin e ligjit dhe organeve gjyqësore, vlerëson KE-ja.
Të drejtat bazë të njeriut
Në pjesën e respektimit të të drejtave bazë, KE-ja konstaton se ekziston kornizë juridike dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave bazë, por nevojiten reforma për harmonizim të mëtutjeshëm me standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pozitiv është ratifikimi i Konventës për parandalim dhe luftë kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare, por i domosdoshëm është vendosja e mekanizmave adekuatë për ndjekjen e implementimit. Nevojitet përmirësim i kushteve në burgje dhe institucionet psikiatrike, ndjekja e rasteve të krimit të bërë nga urrejtja dhe fjala e urrejtjes, si dhe përfshirja më e madhe e romëve.