Gjykata Supreme ka katër vjetë që nuk shqyrton rastin e Ismail Isufit nga Zhelina, i cili në vitin 2014 nga Gjykata themelore e Shkupit është dënuar me tetë vjetë e gjysmë burg për akuzën e trafikimit të drogës.
Ky rast është shumë specifik sepse Isufi ndëshkohet nga Gjykata themelore me dënim drakonik në mungesë të provave materiale dhe dëshmive verbale. Vendimin e shkallës së parë e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit dhe prej vitit 2014 lënda është ankimuar në Gjykatës supereme.
Gjykata supreme në prnoncimin për Almakos thotë se lënda e Isufit ende është duke u shqyrtuar dhe nuk dihet se kur pritet të vendoset për lëndën.
‘’Lënda për të cilën po interesoheni është dhënë në duart e një gjykatësit, po punohet në të dhe ende nuk është gati. Nuk kemi informacion se kur do të sillet vendim’’, thonë shkurt nga Gjykata supreme për Almakos.
Mbrojtja e Isufit, avokatja Natasha Najdenova Leviq, shpreson se vendimi përfundimtar për klientin e saj mund të sillet mbrenda disa javëve.
‘’Jam interesuar për lëndën para disa ditëve. Nga gjykata më njoftuan se se lënda është marrë në shqyrtim dhe po punohet për të. Nëse rasti është marrë të punohet mendoj se mbrenda disa jave duhet të sillet vendim,’’ thotë Leviq.
Nga shoqata qytetare Zelena Lupa rasti i Isufit trajtohet si rast eklatant i shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut për gjykim të paanshëm. Sipas analizës së tyre, në vendimin e gjykatës nuk sqarohen elementet kryesore të veprës, ku, kur dhe si është kryer vepra penale.
Duke qenë se prokuroria nuk ka pasur asnjë dëshmi kundër Ismailit, gjatë periudhës së hetimit, ka ushtruar presion psikik për ta pranuar veprën dhe si kundërshërbim atij do t’i shqiptohet dënim më i butë. Për të shqiptuar dënim prej 8 vjetë e gjysëm, Gjykatës themelore dhe të Apelit u kanë mjaftuar një vizitë dhe një bisedë e përgjuara telefonike, të cilat nuk dëshmojnë përfshirjen e Ismailit në një rrjet dilerësh droge.
Arbnora Memeti
Almakos