Më 13 korrik 2025, në qytetin e Gjakovës dhe Malishevës janë raportuar katër raste të dhunës në familje, përfshirë dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimave femra.
Të paktën tre të dyshuar janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa dy raste përfundojnë me procedurë të rregullt.
Në Gjakovë, rreth orës 11:00, është arrestuar një burrë kosovar, i cili në gjendje të dehur dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tre viktimave femra. Ai është ndaluar me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit.
Po ashtu në Gjakovë, një orë më herët, është arrestuar një grua kosovare pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një tjetër femër. Pas konsultimit me prokurorin, ajo është liruar në procedurë të rregullt.
Një tjetër rast i dhunës familjare është raportuar në Malishevë, ku rreth orës 15:00 është arrestuar një burrë për dhunë fizike dhe psikike ndaj një femre. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti i katërt është regjistruar po ashtu në Gjakovë, rreth orës 17:00.
Një grua është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një tjetër femre.
Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.
Policia e Kosovës vazhdon hetimet për të gjitha rastet dhe apelon për raportimin e menjëhershëm të çdo forme dhune në familje.