“Nikolla Gruevski jo që nuk ka legjitimitet për t’u bërë kryeministër, por as për çfarëdolloj funksioni tjetër në shtet, derisa nuk pastrohet rasti i tij përpara Prokurorisë Speciale”, thotë në një intervistë për “A1on”, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, njofton Portalb.
Në pyetjen se cilat janë informatat e fundit të tij, në lidhje me atë se a mundet që Ali Ahmeti të formojë Qeveri me Nikolla Gruevskin, ai thotë se “nuk do të spekulojë se cili do të kishte qenë pozita e Ali Ahmetit, por duke e pasur parasysh se BDI me VMRO-DPMNE-në kanë bashkëqeverisur 10 vjet, mundësitë janë të mëdha që ata prapë të tentojnë të krijojnë Qeveri, duke i pasur parasysh numrat e deputetëve”.
Kasami gjithashtu shton se BDI edhe pse e ka nënshkruar Platformën Shqiptare, gjegjësisht Deklaratën e partive politike të shqiptarëve të Maqedonisë, megjithatë ata opsion të parë për të bërë koalicion me parti maqedonase e kanë VMRO-DPMNE-në.
Ai thotë se duke e pasur parasysh se PSP ka ngritur procedurë kundër Gruevskit, parimi themelor i Lëvizjes BESA është se personat të cilët janë të akuzuar nga PSP, gjegjësisht kundër të cilëve është ngritur aktakuzë, nuk duhet të jenë në kurrfarë kombinimi në Qeverinë e re. /Portalb