Në fjalimin e tij në Kuvend, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, tha se ndjej përgjegjësi që t’u drejtohet deputetëve në emër të të gjithë atyre që duan të shohin politikanë të përgjegjshëm dhe të fjalës.
“Pse neve na ka ndodhur që Maqedoninë çdo vit ta ndërtojmë nga e para. Si ka mundësi që edhe pas 26 viteve të merremi me po të njëjtat gjëra që politikanët merreshin që nga themelimi i këtij shteti?”, pyeti Kasami, duke thënë se Lëvizja BESA ka kërkuar që të merren vesh se si do të udhëhiqet shteti, e jo se si do të ndahet pushtetin. Kasami theksoi se Maqedonia është një shtet asimetrik, që favorizon maqedonasit në kurriz të tjerëve, andaj shtoi se nëse nuk ekziston vullneti për të ridefinuar Maqedoninë, çdo 10 vite do të vijë në pikëpyetje vetë funksionimi i këtij shteti.
Duke folur për pjesëmarrjen e BDI-së në Qeverinë e re, Kasami tha se BDI është pjesë e qeverisë pasi frikohen nga e kaluara e tyre. “Kështu, ju jeni të pranueshëm për cilindo pushtetar maqedonas”, theksoi Kasami.
Më tej, kryetari i Lëvizjes BESA tha se partia e tij nuk do të votojë për përbërjen e re qeveritarem për të njëjtat arsye pse nuk votoi Talat Xhaferin për kryetar të Kuvendit. /SHENJA/