Rreth orës 16 në objektin e Qeverisë mbërriti lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Që një ditë më parë ishte paralajmëruar një takim mes tij dhe kryeministrit të vendit, Zoran Zaev.
Pas takimit që zgjati pothuajse 1 orë e 30 minuta, Kasami, ndaloi për të dhënë deklaratë për mediat.
I pari i BESË-s tha se gjatë takimit është theksuar pozicioni i kësaj Lëvizje si parti opozitare, dhe se do të luaj më së miri rolin e saj. Kasami gjithashtu tha se në takim ka theksuar qëndrimin dhe përkrahjen e Lëvizjes BESA sa i përket proceseve reformuese që kanë të bëjnë rrugëtimin e vendit drejt BE-së, si dhe reformave në drejtësi dhe media.
Lidhur me deklaratën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit që ky i fundit pati me liderët e partive parlamentare shqiptare, se për shkak të Lëvizjes BESA nuk është filluar puna për rastet e montuara, Kasami tha kështu:
“ Ali Ahmeti s’ka fjalë më të mençur që mund ta thotë, ajo është më e mençura. Populli dhe shqiptarët e kuptojnë këtë. Sidoqoftë sa i përket rasteve të montuara, në si Lëvizja Besa nuk do të heshtim edhe më tutje për zbardhjen e këtyre rasteve dhe gjithmonë do të ngrejmë zërin që këto raste njëherë e përgjithmonë të pastrohen. Kjo është në interes të atyre që në mënyrë të padrejtë janë në nëpër burgje, por edhe në interes të qytetarëve që të kenë një Maqedoni me shtet normal dhe me shtet të së drejtës”– tha lideri i Lëvizjes BESA.
Sa i përket Komisionit për të Liri dhe Drejtësi, , ai tha se marrëveshja nuk ka qenë që i njejti të udhëhiqet nga Levizja BESA. Siç kanë vendosur që t’i marrin komisionet tjera le ta marrin edhe këtë komision, përmbylli deklaratën Bilall Kasami.
Evi Shkopi
Almakos.com