Marketet që zakonisht janë plot me njerëz, sot mbetën të zbrazëta, qytetarët iu përgjigjën bojkotit duke ndjekur shembullin e Kroacisë dhe Sllovenisë dhe u dërguan një mesazh të qartë tregtarëve se çmimet janë shumë të larta dhe se po përfitojnë në kurriz të qytetarëve.
Gjatë vizitës në disa nga marketet më të mëdha, nuk vërejtëm ndonjë korrigjim të çmimeve, përveç zbritjeve të zakonshme promocionale. Edhe pse kishte disa njerëz që blinin diçka, turmën e zakonshme si në orët e mëngjesit, sidomos të premten, nuk e pamë. Qytetarët me të cilët biseduam kryesisht e mbështesin bojkotin, disa prej tyre thonë se do të ketë efekt, por ka edhe nga ata që janë skeptikë.
Kreu i Odës ekonomike Branko Azeski thotë se e ndjek gjendjen dhe mendon se ky problem mund të tejkalohet me dialog.
“Unë jam në një farë mënyre paralajmërues i bojkotit për shkak se tashmë dy vjet nuk kam hyrë në market me shportë, këtë e bën bashkëshortja ime, por unë jam maksimalisht i informuar dhe si mbrojtës i kompanive dua të them se dialogu është dalja nga kjo situatë për shkak se ky problem nuk është prej tani, ky problem është që moti në relacion mes prodhuesve dhe shitësve dhe te ne po zhvillohet një dialog i vazhdueshëm”, tha Branko Azeski.
Sipas të dhënave të fundit paga minimale është 22.567 denarë, ndërsa shporta minimale është 63.252 denarë. Analiza e sindikatës tregon se nëse krahasohen çmimet e shportës të janarit të këtij viti dhe me ato të janarit të vitit të kaluar, ato janë më të larta për mbi 6 mijë denarë.