Nuk ka të ndalur kaosi në sigurimin e kartelave elektronike për qarkullimin në Shkup. Në më shumë pika nëpër qytet nuk mund të gjenden kartelat prej 150 denarëve, ndërsa për blerjen e tyre qytetarët presim më shumë se gjysmë ore. Ekipi i televizionit Alsat takoi qytetarë të cilët vozitësit i kanë zbritur nga autobusi pasi nuk kanë pasur kartela, ndërsa me modelin e ri nuk kanë mundësi të paguajnë me para në dorë.
“Unë shkoj në këmbë nga Fusha e Tophanës me bijën time. 150 denarë për mua dhe për bijën time, nuk kam aq para”.
“Në do të gjendemi disi, por çfarë bëjnë të tjerët që duhet të udhëtojnë deri në Qendrën Kliniki apo deri te spitali i qytetit. kjo çfarë po ndodh është turp”- u shprehën dy qytetarë.
Ndërsa transportuesit privat thonë se i tërë kaosi ka ndodhur si pasojë e informimit të dobët të qytetarëve për kartelat e jo- personalizuara prej 150 denarëve.
Ajo që u paraqit ishte për shkak të informimit të pamjaftueshëm apo keqkuptimit me qytetarët ku kartelat me pesë vozitje është dashur t’i ruajnë dhe t’i rimbushin, por ata i hidhnin dhe blinin të reja dhe kështu u krijua mungesë për iniciativë për mbulimin e nevojave – tha Lenin Jovanovski, “Slloboda Prevoz”.
Ndërkohë autobusët publik kanë hequr dorë nga transportimi i udhëtarëve në zonën e Çairit dhe Butelit, përkatësisht nga autobusët numër 9 dhe 19d duke ia lënë këtë zonë autobusëve privatë. Për kaosin e krijuar kërkuam qëndrim nga drejtori i Ndërmarrjes së Transportit Publik Igor Janushev por ai përmes mesazhit u përgjigj se sot nuk mund të flas dhe se përgjigjet do t’i jap nesër.
https://www.youtube.com/watch?v=DxbUUDYYwTM