Misioni evropian paqeruajtës në Maqedoni, është një hap radikal, por ky hap është i patjetërsueshëm nëse përkeqësohet situata. Kështu thotë në një postim të Twitter ish shefi i diplomacisë suedeze, Karl Bild.
Komentet e tij vijnë pas një interviste të ish ministrit të brendshëm bullgar, Bojko Noev, ku ky i fundit thotë se vetë Maqedonia duhet urgjentisht të kërkojë një mision preventiv dhe stabilizues nga ana e Unionit Evropian.
Duke e komentuar letrën e Presidentit Ivanov dërguar disa prej krerëve botërorë, Noev thotë se kjo në fakt duhet kuptuar “si një lloj thirrje emergjente për ndihmë drejtuar komunitetit ndërkombëtar, se anija në Shkup po fundoset”.
“Është një pohim se vendi është buzë mungesës së rendit dhe ligjit”, thotë Noev, duke shtuar se kriza e cila po zgjat për disa vite, ka eskaluar deri në shkallën që Maqedonia të fillojë të humb suverenitetin.
Duke folur për atë se çka e ka shkaktuar krizën në Maqedoni, ish ministri bullgar thotë se nuk bëhet fjalë për faktorë të jashtëm, siç pohon Ivanovi, por për shkak të kompleksit të inferioritetit të elitës udhëheqëse, që ka çuar drejt fundosjes së sistemit. /SHENJA/