Policia e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar rreth 65 kilogramë marihuanë gjatë një aksioni të realizuar në autostradën “Miqësia”, pranë Gradskos, duke arrestuar dy persona të dyshuar.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), aksioni është zhvilluar nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me njësinë speciale “Tigrat”. Në pikën e pagesës Stobi, zyrtarët policorë kanë vërejtur një automjet të dyshimtë të tipit “Seat Altea” me targa të Shkupit.
Pasi policia i ka dhënë shenjë për ndalim me qëllim identifikimi, drejtuesi i automjetit është larguar me shpejtësi në drejtim të Gradskos. Megjithatë, pas një ndjekjeje të shkurtër, automjeti është ndaluar dhe është kryer kontrolli i tij.
Gjatë kontrollit, në veturën e drejtuar nga F.N. janë gjetur katër çanta të zeza që përmbanin gjithsej 65 pako me lëndë bimore, me peshë totale prej 65 kilogramësh, si dhe dy telefona celularë.
MPB njofton se gjatë ditës së sotme do të paraqitet kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Veles kundër F.N. (38) nga Shkupi dhe J.M. (55) nga Kavadari. Ata dyshohen për veprën penale “prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, sipas nenit 215 të Kodit Penal.
Sipas autoriteteve, lënda narkotike e sekuestruar, me urdhër të prokurorit publik, do t’i dorëzohet Departamentit për Ekspertiza Forenzike pranë MPB-së për analiza të mëtejshme.


