Debatet e shumta parazgjedhore që së fundmi janë bërë aktuale edhe në Maqedoni janë duke mundësuar krijimin e një ideje më të kompletuar tek qytetarëve për kandidatët e propozuar për kryetarë komune.
Përballja verbale e kundërshtarëve politik dhe përgjigja e drejtpërdrejtë e tyre rreth pyetjeve të qytetarëve të pranishëm në ambientet ku këto debate zhvillohen, ka bërë që të “ rrëzohet” muri abstrakt i ndërtuar me fleta A4 ku janë fjalimet klishe e monotone e që përsëriten ndër vite në fushatat parazgjedhore, pasi që veçse është vërtetuar se problemet që tangojnë qytetarët rregullohen me punë dhe jo me premtime, shkruan Almakos.
Nga njëra anë, në replikat e kundër- replikat e kandidatëve për kryetarë komune, në pjesën më të madhe dëgjohen akuza personale, kritika ndaj atyre që më parë kanë menaxhuar me komunën, premtime pa baza konkrete realizimi ( buxhet, plan zhvillimi, kohëzgjatja e realizimit etj), fjali të shtrembëruara në aspektin gramatikor, ( pa vet apo lidhëza të duhura). Nga ana tjetër, shumë rrallë për të mos thënë aspak, kemi dëgjuar oratori që elektrizon turmën e qytetarëve, shpalosje me vetëbesim e vizionit për komunën në të cilën kandidojnë, “ Gjuhë trupi” të varfër që ngjall dyshim se vallë a mund të përballojë i zgjedhuri i partisë misionin e dhënë.
Sipas komunikologut, Xhenis Sulimani, partitë akoma nuk po arrijnë ta kuptojnë se politika është art dhe jo “ Sprint”, andaj gabimet e njëjta bëhen në çdo fushatë parazgjedhore. Pra, kandidatët përzgjidhen në momentin e fundit, duke mos ju lënë kohë të përgatiten për paraqitjen e tyre publike.
“Kjo vjen si rrjedhojë e pa-përgatitjes paraprake, punës me ekspertë për paraqitje publike, këshilltarë të artit të të folurit publik, menaxhimi me pjesët e trupit në atë që njihet në artin politik si “Body Language”, e kështu me radhë. Jam i mendimit që sikur kandidatët do të ishin të njohur me kandidaturat shumë kohë para zgjedhjeve, do të kishin kohë që t’u kushtojnë kujdes më të madh teknikave për paraqitje publike. E keqja është se partitë tona dhe kandidatët nuk mësojnë nga pësimet. Paraqitje skandaloze paraqiten në çdo cikël zgjedhor. Kjo më bind se partitë nuk janë serioze dhe më kësi aktesh e nënvlerësojnë inteligjencën e publikut. Duhet kujtuar se politika mbi të gjitha është art dhe jo “sprint”(vrap) në 100 metra. Në këtë mënyrë duhet kuptuar edhe fushatat zgjedhore”- tha komunikologu, Xhenis Sulimani.
Sipas tij, mënyra e përpilimit të fjalive, shpejtësia e paraqitjes së objektivave vërteton se kandidati sa më shpejt do t’i ikë “përgjegjësisë” pa menduar se si reflekton në opinion.
Mendim të njëjtë ndan edhe analisti, Qenan Aliu, i cili thotë se qytetarët tashmë janë të lodhur nga retorika boshe.
“Fatkeqësisht, pa asnjë prepotencë, por vetëm duke pasur parasysh faktin se matja zyrtare e shikueshmërisë së debateve me kandidatët pretendues për kryetarë komunash kësaj radhe ka rënë në formë të menjëhershme. Kjo për faktin se ndjehet një “lodhje” tek qytetarët nga retorika boshe dhe dorën në zemër tek një numër i madh i kandidatëve edhe atyre aktual edhe të rinjve pavarësisht përkatësinë partiaket dh etnike të tyre perceptohet se shumica nga ata nuk i kanë në dijeni as njohuritë elementare të decentralizimit dhe pushtetit lokal. Pa mos hyrë në faktin se shumica nga ata aq që janë në dijeni për rregulloren ligjore që tangon këtë pushtet”- tha analisti Qenan Aliu.
Përdorja e batutave nga disa politikanë, është diçka që i veçon nga të tjerët dhe nuk arrin ta kuptosh nëse ka fituar simpatinë e qytetarëve apo vetëm një publik me sens humori, i cili nuk është nisur për të marrë pjesë në një show humoristik, por në një debat të mirëfilltë i cili duhet ta ndihmojë të vendosë së kë duhet të votojë.
Komunikologu Sulimani, thotë se një gjuhë e tillë para qytetarëve është tallëse për këta të fundit.
“Deklaratat e disa kandidatëve që më shumë janë skenarë për skeçe humoristike sesa skenarë të politik-bërjes janë pasqyrë e keqe e shoqërisë tonë. Fenomen absolutisht negative, nuk gaboj nëse them edhe tallje e partive me opinionin publik. Nëse kjo nuk ndryshon në ciklet zgjedhore atëherë me të vërtetë duhet t’i bindemi maksimës se kandidatët janë pasqyrë e rrethit prej nga vjen apo pasqyrë e atyre që votojnë të tillë”- tha Sulimani.
Oratoria është art i të shprehurit para njerëzve, mediave, masave të njerëzve. Që të jesh orator i mirë, duhesh që me atë që nxjerrë nga goja të jesh pikë së pari bindës. Prezantimet shabllone të premtimeve krijojnë edhe njëfarë konfuzioni pasi që premtohen zgjidhje për probleme të njëjta, zgjidhje që kur i prezantojnë kandidatët të krijojnë përshtypjen se edhe ata vetë kanë paqartësi rreth punës që i pret nëse zgjidhen si kryetarë komune./Almakos.com/
https://www.facebook.com/Almakos1/videos/1867407906633386/
Përgatiti: Evi Shkopi