Jetojmë në shekullin 21, rreth Malit Sharr, por fatkeqësisht nuk kemi ujë të pijshëm. Kështu tha kandidati i “Aleancës për shqiptarët” për kryetar të komunës së Bogovinën, Albon Xhemaili, në emisionin “Studio e hapur” në TV SHENJA. Ai shtoi se përderisa banorët kanë menaxhuar vet me ujin e pijshëm nuk kanë pasur problem, por problemet kanë lindur në momentin kur komuna ka marrë përsipër menaxhimin e ujit.
“Në vendbanimet tjera ku ka mungesë të ujit, veçanërisht në Pirok, Kamjan, Pallçishtë dhe vendbanime tjera, janë investime shumë të vogla për t’u rregulluar çështja”, ka thënë Albon Xhemaili, kandidat i “Aleancës për shqiptarët” për Bogovinën.
Nga ana tjetër kandidati i PDSH-së, Elvir Iseni, duke folur për çështjet që më së tepërmi i tangojnë banorë e Bogovinës, çështjen e ujit, shtretërit e lumenjve si dhe këndet për fëmijët, tha se ata në programin e tyre kanë të paraparë rregullimin e këtyre problemeve.
“Në plan-programin tim kam paraparë që në lartësi mbidetare 1500 metra mbi fshatin Novosellë, ku ka shumë burime të cilat shpërndahen pa fund. Kemi paraparë një rezervar të performancave më të mëdha, ku nëpërmjet atij rezervuarët do të lidhen edhe rezervuarët e vendbanimet ekzistuese që në rast rënies së nivelit të ujit aty të intervenohet ky rezervuar qendror”, ka deklaruar Elvir Iseni, kandidatë i PDSH-së për Bogovinën.
Kandidati i Lëvizjes BESA, Minur Asani, tha se programin e tyre kanë zgjidhje për të gjitha problemet e banorëve të Bogovinës, ndërsa tha se do të ulin edhe papunësinë, duke sjellë investime nga jashtë.
“Sa e dimë ne ka funksionuar një fabrikë e cila tani është e mbyllur. Ne mendojmë që të sjellim investim nga jashtë, së bashku me personin që e ka atë fabrikë, ose në ndonjë vend tjetër që është në pronësi të komunës të biem investime nga jashtë dhe të hapim vende të reja të punës”, tha Minur Asani, kandidatë i Lëvizjes BESA për Bogovinën.
Në emisionin “Studio e hapur” mungoi kandidati i BDI-së, Berzah Bejtullahu, të cilit ju parashtruan pesë pyetje, ndërsa njëra prej tyre ishte kjo: Në kohën kur partia juaj ka qenë në pushtet, shumë fshatra të komunës suaj kanë përjetuar një migrim masiv. Pse duhet tani pas 15, gjegjësisht 12 vitesh, qytetarët sërish t’ju besojnë se gjërat kanë ndryshuar?
Enis Murtezi /SHENJA/

