Korridori VIII, rruga Tetovë – Prizren, projekti i ndërtesave kolektive të banimit dhe investime tjera kapitale janë në fokusin e Qeverisë gjatë këtij mandati thotë në intervistë për PressOnline.al, Kaltrina Zekolli Shaqiri – zëvendësministre në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.
Ajo thotë keqpërdorimet e mundshme në projektin dhe kontraktimin e marrëveshjeve për ndërtimin e Korridorit VIII po hetohen dhe nëse ka shkelje – atëherë organet komentet do të veprojnë. Por, shton se, për Qeverinë prioritet është realizimi i projekteve të planifikuara, ndërsa për pjesën e hetimin dhe keqpërdorimeve fjalën e ka drejtësia.
“Me ardhjen e Qeverisë sonë, punimet në Korridorin VIII kanë filluar me intensitet dhe po zhvillohen në segmente të ndryshme. Puna është përqendruar edhe në shpronësimin e pronave, dhe po realizohet me orare të zgjatura për të siguruar progresin maksimal. Si Qeveri, kemi në fokus të veçantë rrugët pan-evropiane, dhe jam e bindur se do të arrijmë t’i përfundojmë në kohë, ashtu siç nuk ka ndodhur kurrë më parë me projektet e premtuara infrastrukturore. Të gjitha keqpërdorimet dhe dyshimet mbi veprimet në të kaluarën, të cilat kemi hasur janë adresuar tek organet kompetente. Ne nuk duam të ndërhyjmë në proceset e investigimit që janë në zhvillim, prandaj presim që rastet të shqyrtohen dhe të japin përgjigje nga ana e institucioneve përkatëse”, thotë mestjerash Zekolli-Shaqiri në intervistë.
Zëvendësministrja në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri potencon se për dikasterin e saj, por edhe Qeverinë – mirëqenia e qytetarëve është tejet e rëndësishme.
“Kemi realizuar dhe po planifikojmë hapa të rëndësishëm për të siguruar kushte më të mira për jetesë. Një nga projektet e ardhshme është ndërtimi i banesave sociale në Komunën e Sarajit, ku do të ofrojmë mundësi më të mira për ata që kanë nevojë për strehim”, nënvizon ajo.
PressOnline: Do i jepet fund projektit të ndërtimit të rrugës Shkup – Bllacë? Një projekt që po ngec dhe ka dyshime se është keqpërdorur nga garniturat e kaluara qeverisëse.
Kaltrina Zekolli Shaqiri: Dy kilometrat e para janë përfunduar dhe mbetet vetëm pjesa tjetër për t’u ndërtuar. Kemi pasur disa pikëpyetje mbi trasenë e planifikuar nga garnitura e kaluar të cilat janë dorëzuar tek organet kompetente, por kjo nuk do të thotë se ne do të ndalemi në realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për ne.
Kam pasur takime të vazhdueshme me ministrin dhe me Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, dhe mund të them se gjatë vitit 2025 do të fillojnë punimet për vazhdimin e ndërtimit të kësaj rruge. Ky projekt do të sigurojë lidhje më të mira dhe do të kontribuoi në zhvillimin ekonomik të rajonit.
PressOnline: Një tjetër projekt me interes ndër-shqiptar është rrugë Tetovë – Prizren.
Kaltrina Zekolli Shaqiri: Për qeverinë ky projekt është një nga prioritet e larta, dhe do të punojmë deri në fund për realizimin e tij, për të lidhur dy anët e malit Sharr dhe për të mundësuar zhvillim më të madh ekonomik dhe bashkëpunim rajonal.
PressOnline: Korridori 8, po ashtu është një projekt gjigant infrastrukturor me interes për shqiptarët dhe rajonin. A do të përfundojë në afatet e parapara, deri në vitin 2028?
Kaltrina Zekolli Shaqiri: Me ardhjen e Qeverisë sonë, punimet në Korridorin VIII kanë filluar me intensitet dhe po zhvillohen në segmente të ndryshme. Puna është përqendruar edhe në shpronësimin e pronave, dhe po realizohet me orare të zgjatura për të siguruar progresin maksimal.
Si Qeveri, kemi në fokus të veçantë rrugët pan-evropiane, dhe jam e bindur se do të arrijmë t’i përfundojmë në kohë, ashtu siç nuk ka ndodhur kurrë më parë me projektet e premtuara infrastrukturore.
PressOnline: Gjetët keqpërdorime në dokumentacionin e këtij projekti kur e morët detyrën?
Kaltrina Zekolli Shaqiri: Të gjitha keqpërdorimet dhe dyshimet mbi veprimet në të kaluarën, të cilat kemi hasur janë adresuar tek organet kompetente. Ne nuk duam të ndërhyjmë në proceset e investigimit që janë në zhvillim, prandaj presim që rastet të shqyrtohen dhe të japin përgjigje nga ana e institucioneve përkatëse.
Angazhimi ynë është që të veprojmë me transparencë dhe të sigurojmë se proceset do të jenë të drejta dhe të bazuara në ligj.
PressOnline: Cilat janë planifikimet për vitin 2025 në investimet kapitale?
Kaltrina Zekolli Shaqiri: Po punojmë me kapacitete të plota në planin e buxhetit për vitin 2025, dhe mund t’ju siguroj se projektet infrastrukturore që janë në interes të veçantë për shqiptarët do të vazhdojnë pa ndaluar. Të gjitha punët e filluara nuk do të ndalen, dhe jemi në procesin e shqyrtimit të mundësive dhe nevojave për investime të tjera që janë thelbësore për avancimin e infrastrukturës vendore.
PressOnline: Si është situata me infrastrukturën rrugore në Maqedoninë e Veriut?
Kaltrina Zekolli Shaqiri: Situata aktuale e infrastrukturës në Maqedoninë e Veriut nuk është e lakmueshme, për shkak të investimeve të dobëta që janë bërë në të kaluarën në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e saj. Megjithatë, ne jemi duke diagnostikuar nevojat dhe po punojmë për të reaguar sa më shpejt, pasi e dimë se pozita e Maqedonisë së Veriut është një urë lidhëse mes Lindjes së Mesme dhe Evropës.
Kjo bën që të jetë shumë e nevojshme të arrijmë standardin e duhur të cilësisë në infrastrukturë, për të siguruar lidhje të qëndrueshme dhe për të mundësuar zhvillim ekonomik dhe rajonal. Angazhimi ynë është i qartë: do të punojmë pa pushim për të përmirësuar dhe modernizuar infrastrukturën, duke garantuar kushte më të mira për qytetarët dhe bizneset.
PressOnline: A planifikoni ta zhvilloni më tej këtë projektin e ndërtesave kolektive të banimit, duke pasur parasysh karakterin social të vendit?
Kaltrina Zekolli Shaqiri: Për ne si Ministri, mirëqenia e qytetarëve është tejet e rëndësishme. Prandaj, kemi realizuar dhe po planifikojmë hapa të rëndësishëm për të siguruar kushte më të mira për jetesë. Një nga projektet e ardhshme është ndërtimi i banesave sociale në Komunën e Sarajit, ku do të ofrojmë mundësi më të mira për ata që kanë nevojë për strehim.
Ne jemi të përkushtuar që të punojmë në bashkëpunim të ngushtë me komunat për të krijuar vende të sigurta dhe për të përmirësuar jetesën e qytetarëve tanë. Kurrë nuk do të veprojmë kundër interesave të qytetarëve, por gjithmonë do të jemi këtu për t’u shërbyer dhe për të menaxhuar me përgjegjësi taksat e tyre.