Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri inauguroi një segment të rëndësishëm të autostradës Kërçovë–Ohër, pjesë integrale e Korridorit 8.
“Ky segment që përurojmë sot është dëshmi se vizioni ynë po realizohet me vepra konkrete dhe në shërbim të njerëzve, sepse qytetarët tanë meritojnë punë e jo fjalë boshe.”, theksoi mes tjerash në fjalimin e sa Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Fjalimi i plotë:
Sot jemi këtu për të shënuar një arritje konkrete për vendin: vënien në funksion të një segmenti prej 20 kilometrash të autostradës Kërçovë–Ohër, nga tuneli i Vërbranit deri në vendbanimin Botun.
Ky nuk është vetëm një projekt i përfunduar. Ky është një hap i madh në ndërtimin e një prej korridoreve më të rëndësishme të vendit tonë – Korridorit 8, që lidh Maqedoninë e Veriut me vendet fqinje dhe e pozicionon vendin tonë si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.
Autostrada Kërçovë–Ohër është një pjesë kyçe e Korridorit 8, së bashku me segmentet Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Kërçovë. Sot, me vënien në funksion të kësaj pjese të këtij segmenti, jemi një hap më afër përfundimit të një prej projekteve më të rëndësishme për vendin tonë
Në ndërkohë, po punohet intensivisht edhe në segmente të tjera dhe korridore tjera të rëndësishme që do të forcojnë lidhjen rajonale të vendit.
Këto investime janë pjesë e një vizioni të qartë: të ndërtojmë një Maqedoni të Veriut më moderne dhe më funksionale për të gjithë qytetarët.
Krahas projekteve të mëdha, nga Qeveria dhe Ministria e Transportit kemi mbështetur edhe qindra projekte lokale nëpër komuna, sepse besojmë se zhvillimi duhet të ndihet kudo si në korridore strategjike panevropiane, ashtu dhe në rrugët që të çojnë deri te dera e çdo qytetari.
Ky segment që përurojmë sot është dëshmi se vizioni ynë po realizohet me vepra konkrete dhe në shërbim të njerëzve, sepse qytetarët tanë meritojnë punë e jo fjalë boshe.
Faleminderit për besimin dhe për bashkëpunimin.
Urime për këtë arritje të përbashkët!