Nënkryetarja e Parlamentit Studentor pranë UEJL, Kaltrina Bytyqi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e nesërme në Shkup, duke theksuar se kjo nuk është vetëm një marshim, por vazhdim i betejës së gjatë të popullit shqiptar për të drejtat e tij.
“Gjuha jonë nuk negociohet. E drejta jonë nuk shtyhet. Identiteti nuk kërkon leje – ai mbrohet”, shkruan Bytyqi, duke ftuar të gjithë studentët dhe qytetarët të bashkohen në këtë lëvizje për barazi dhe të drejta të plota.
Në vijim shkrimi i plotë i Bytyqit:
Protesta e nesërme nuk është vetëm një hapërrim nëpër rrugët e Shkupit.
Është jehona e një rruge të gjatë që populli shqiptar e ka bërë deri dje!
Nga koha kur gjuha jonë shkruhej fshehurazi, kur librat ruheshin si thesare dhe fjala shqip ishte rezistencë, deri sot – ku ne, studentët, qëndrojmë të lirë, por ende duke kërkuar atë që na takon.
Ne jemi vazhdim i atyre që nuk u dorëzuan, baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë. Zëri ynë sot është amaneti i tyre dje.
Më 06.04.2026 nuk dalim vetëm për veten tonë, por për një të drejtë që na takon dhe na bënë që të ndjehemi dhe të jemi të trajtuar në mënyre të barabartë në këtë shtet të përbashkët!
Gjuha jonë nuk negociohet. E drejta jonë nuk shtyhet.
Sepse identiteti nuk kërkon leje – ai mbrohet.
Bashkohu.
Sepse kjo është më shumë se një protestë.
E drejta e fituar dhe barazia nuk mbrohet me heshtje!
Kaltrina Bytyqi,
Nënkryetare e Parlamentit dhe asociacionit studentor pranë UEJL


