Njësia Kombëtare për Luftimin e Kontrabandës së Migrantëve dhe Trafikimit me Njerëz pranë Sektorit për Hetime Kriminalistike në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë ka ngritur kallëzim penal ndaj gjashtë personave: F.A. (63), Gj.K. (57), I.Sh. (35), Xh.Sh. (35), të gjithë nga Shkupi, si dhe ndaj S.J. (35) nga Kumanova dhe I.A. (38) nga Tetova, për shkak të dyshimeve të bazuara për veprën penale “trafikim me fëmijë”.
Sipas policisë, gjatë viteve 2024 dhe 2025, F.A. dhe Gj.K. kanë organizuar birësimin e paligjshëm të një foshnje të porsalindur. F.A., duke shfrytëzuar pozitën e saj si kujdestare e fëmijëve, ka vendosur kontakte me çifte të interesuara për të birësuar fëmijë.
Nga ana tjetër, Gj.K., me marrëveshje paraprake me të, ka shfrytëzuar gjendjen e vështirë materiale dhe sociale të prindërve biologjikë, duke i bindur ata që, në këmbim të një shume parash dhe përfitimeve të tjera, të pranonin birësimin e paligjshëm të foshnjës së tyre.
Në këtë mënyrë, ata kanë arritur ta bindin S.J., e cila jetonte në bashkësi jashtëmartesore me partnerin e saj I.A., që për 500 euro ndihmë financiare dhe kontrolle gjinekologjike falas të lejonte birësimin e paligjshëm të foshnjës së porsalindur.
Pas daljes nga spitali, S.J. dhe foshnja e saj janë pranuar nga F.A. dhe janë transportuar në shtëpinë e saj, ku më pas kanë mbërritur I.Sh. dhe Xh.Sh., të cilët në cilësinë e “birësuesve” e kanë marrë foshnjën dhe e kanë dërguar në shtëpinë e tyre.
Hetimet kanë zbuluar se më 17 tetor 2025 ishte lidhur një kontratë huaje prej 500 eurosh ndërmjet Xh.Sh. si huadhënës dhe I.A. si huamarrës. Të njëjtën ditë, paratë i ishin dorëzuar I.A.-së si kompensim për birësimin e paligjshëm të foshnjës së tyre.
Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e arrestit shtëpiak.


