Në një kohë kur në shumë raste qeverisja aktuale është kritikuar për anashkalimin dhe mosrespektimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucione, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu, ka theksuar se ekziston një hendek i madh mes asaj që parashikon Kushtetuta dhe realitetit në terren.
Duke folur në emisionin “Rishtazi” në KohaCast, Kadriu deklaroi se, ndonëse gjuha shqipe është e garantuar si gjuhë zyrtare me Kushtetutë, ajo në praktikë vazhdon të mos zbatohet siç duhet. “Gjuha shqipe me Kushtetutë është gjuhë zyrtare, por çka ndodh? Kushtetuta e garanton, ndërsa pushteti e konteston. Ky është një fakt që disa nuk e pranojnë me dashamirësi, por mbetet realitet”, u shpreh Kadriu.
Ai theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet shtetërore, të cilat sipas tij nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për të siguruar zbatimin e plotë të gjuhës shqipe. “Është gabim i institucioneve shtetërore që nuk marrin masa konkrete që gjuha shqipe të zbatohet në praktikë. Moszbatimi i saj na çon në një përfundim të pakontestueshëm: Kushtetuta e garanton gjuhën shqipe, ndërsa pushteti e konteston”, shtoi Kadriu.


