Ulen çmimet e shërbimeve që i ofron Agjencia për Kadastrën e Patundshmërive, ku sipas autoriteteve me hyrjen në fuqi të tri tarifave të reja do të zvogëlohen çmimet prej 20 deri më 90 për qind.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski, theksoi se me masën për zvogëlimin e çmimeve të shërbimeve të Kadastrës është plotësuar premtimi i dhënë në programin qeveritar.
“Në tariforen për kompensim në regjistrimin e objekteve çmimet zvogëlohen mesatarisht për 90 për qind. Në tariforen për regjistrimin e patundshmërive në Kadastër zvogëlohen në mesatare për 51 për qind, ndërsa çmimet në tariforen për kompensim të shfrytëzimit të të dhënave prej sistemit gjeodezik – kadastral zvogëlohen mesatarisht për 28 për qind”,- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.
Drejtori i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, Boris Tunxhev, tha se për regjistrimet e të drejtave në bazë të ndërtimeve dhe legalizimit të objekteve të ndërtuara në mënyrë të jashtëligjshme është zvogëluar për 20 për qind, ndërsa gjithashtu po aq lirohen edhe dokumentet për shënimin e ndërtesave më të mëdha për strehim, derisa kompensimi për bujqit është zvogëluar prej 38 deri në 80 për qind.
“Në masë të madhe është zvogëluar edhe kompensimi për ndryshim të kulturave, me qëllim që t’i stimulojmë bujqit, që titujt për kulturat në fletëpronësitë e tyre t’i ndërrojmë, që të munden t’i marrin subvencionet e tyre në mënyrë më të lehtë”,- tha drejtori i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, Boris Tunxhev.
Tunxhev theksoi se zvogëlimi i çmimeve nuk do të ndikojë në punën e Kadastrës, ndërsa precizoi se tariforet e reja për shërbimet që i ofrojnë ndaj qytetarëve dhe kompanitë janë publikuar në Gazetën Zyrtare.