Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, përkujtoi me fjalë të mëdha figurën e Ismail Kadaresë, duke theksuar se shkrimtari ynë i madh nuk ka nevojë për lavdërime, pasi ai vetë është lavdia.
Spiropali e cilësoi Kadarenë si simbol të dinjitetit dhe mendimit vetjak, që ndërtoi një univers të thellë letrar dhe një botë mitike ku shqiptaria gjeti hapësirë të veçantë.
Ajo theksoi se Kadare ishte një kolos i madh, i cili mbijetoi edhe nga kritikët më të ashpër dhe u shndërrua në “pasaportën e Shqipërisë” në botë. Trashëgimia e tij i përket jo vetëm Shqipërisë, por gjithë njerëzimit. Ky përvjetor është një moment nderimi për jetën dhe veprën e tij të paharrueshme.
Kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali: Kadare nuk ka nevojë për lavdërime, ai mbetet vetë lavdia. Ai ishte magjik në fjalë, ai mbetet simbol i dinjitetit, i mendimit vetjak. Kadare ishte vëzhgues i hollë i jetës. Në gjëra të përditshme, Ismail Kadare ndërtoi universin e tij të thellë. Kadare ndërtoi një botë personale dhe një tjetër, që ia dhuroi njerëzimit, një botë me përmasa mitike, ku shqiptaria gjente shumë hapësirë.
Kadare i është rikthyer tokës si rrënja më e thellë e shqiptarisë, por i përket qiellit të të gjithëve ne. Kadare ishte një kolos i madh, duke lënë indiferencën ndaj kritikëve pa fund, që donin ta gërvishtnin. Ismail Kadare ishte prijës perëndimor dhe ndër shkrimtarët më të rrallë të kombit tonë. Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë.