Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Bullgarisë i ka dërguar një letër ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, si dhe zyrtareve të larta, Kaja Kallas e Marta Kos.
Letra, në formën e një ankese për Maqedoninë e Veriut, supozon se qeveria maqedonase po injoron komunitetin bullgar. Sipas ministrit të Jashtëm bullgar, fushatat denigruese në media, mosrealizimi i përfshirjes së komunitetit bullgar në Kushtetutë sipas marrëveshjes, si dhe politizimi i debateve të pa lidhura në Parlamentin Europian, minojnë besimin tek procesi i anëtarësimit.
“Në korrik 2022, Bashkimi Europian arriti një marrëveshje të balancuar, një paketë hapash të dakorduar që hapte rrugën për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Ky proces kërkonte përgjegjësi, koherencë dhe marrëdhënie të sinqerta fqinjësore.
Me keqardhje të thellë, Bullgaria konstaton se Shkupi nuk ka përmbushur angazhimet e marra. Në vend të bashkëpunimit konstruktiv, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka zgjedhur retorikën e përplasjes, akuzave dhe viktimizimit, jo vetëm ndaj Bullgarisë, por gjithnjë e më shumë edhe ndaj vetë Unionit. Fushatat denigruese në media, mosrealizimi i përfshirjes së komunitetit bullgar në Kushtetutë sipas marrëveshjes, si dhe politizimi i debateve të pa lidhura në Parlamentin Europian, minojnë besimin tek procesi i anëtarësimit.
Shqetësimi ynë është i qartë: jemi përballë krijimit të një tjetër problemi të vetëshkaktuar nga Shkupi, me pasoja serioze për perspektivën europiane të vendit. Kjo situatë rrezikon të humbasë kohën dhe energjitë e BE-së dhe të Shteteve Anëtare, në një moment kur Europa duhet të jetë e përqendruar dhe e bashkuar përballë sfidave shumë më të mëdha gjeopolitike.
Bullgaria mbetet e vendosur: konsensusi i vitit 2022 duhet të respektohet plotësisht. Angazhimet e marra në nivel europian duhet të zbatohen me besim të mirë, pa vonesa, interpretime të reja apo kërkesa shtesë. Vetëm me përgjegjësi reale dhe veprime konstruktive, Maqedonia e Veriut mund të ecë drejt të ardhmes së saj europian“.