Zhvillimi i një hetimi ndërkombëtarë për rastin “ Lagjja e Trimave” është i mundur, por dilemat janë ngritur për shkak të keqinterpretimeve të bëra në opinion, për mënyrën se si mund të arrihet deri tek ky lloj hetimi. Duke qenë se Maqedonia është shtet sovran, ligjërisht është e pamundur që të vijë prokuroria e një shteti të caktuar dhe të filloje hetimet rreth këtij rasti, por ama mund të kërkohen ekspert të cilët do të asistojnë në rishikimin e provave, shkruan Almakos.
Gjithçka do të varet nga komisioni parlamentar i cili pritet të formohet për hetimin e këtij rasti, për të cilin nga qeveria kanë thënë se sapo të marrin propozimin do të japin dritë jeshile për formimin e të njëjtit.
Ky komision, siç thotë Mefail Asllani, një nga avokatët e rastit të Kumanovës, do të ketë qasje në provat konfidenciale pas akreditimit nga Agjencioni për Kundërzbulim, prova të cilat i posedon MPB, por megjithatë personat në përbërje të këtij komisioni nuk do të jenë profesionit të lëmisë, andaj edhe duhet asistencë ndërkombëtare.
“Atij komisioni, ligji i jep mundësinë që nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme, të kërkojë ndihmë ndërkombëtare. Pra, ekspertët në lëmitë për të cilat kemi nevojë në këtë rast si të balistikës, forenzikës, të obduksionit e të tjerë, të kyçen si këshilltarë dhe mbikëqyrës të proceseve, sepse anëtarët e komisionit mund të kenë dëshmitë, por nuk janë ekspert të lëmisë. Eksperti do të duhet që paralelisht t’i shikojë dëshmitë me anëtarin e komisionit”- tha avokati Mefail Asllani.
Gjyqësori në Republikën e Maqedonisë , sipas avokatit Mefail Asllani, ka standarde të dyfishta dhe shembull për këtë ka , pasi ka pasur raste të shumta, sipas tij, kur për të njëjtën vepër shqiptarëve u është dhënë dënimi maksimal, ndërsa maqedonasve dënimi minimal.
Avokatët mbrojtës pas marrjes së vendimit kanë të drejtë që në afat prej 15 ditësh të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila ka tre mundësi për të vendosur: Të shqyrtojë rastin, ta vërtetojë ose ta kthejë lëndën për rishqyrtim. Kjo e fundit, sipas avokatit Asllani, ka mundësi të ndodhë, sepse 90% e dënimeve janë të pabaza dhe nuk janë në përputhje me ligjin për procedurë penale. Në këtë moment nis rishqyrtimi I lëndës dhe në theks vjen komisioni parlamentar që pritet të formohet.
Megjithatë, nga partia e cila pritet të ngrejë iniciativën për formimin e komisionit nukna dhanë përgjigje se kur do të ndërmerret ky hap.
Në lidhje me këtë komision, ndryshe nga qëndrimi i qeverisë, nga VMRO-DPMNE refuzojnë të komentojnë këtë iniciativë, deri sa ajo në mënyrë zyrtare të shpaloset në Parlament. Gjithashtu deputetët e Besës nuk deshën të komentojnë për iniciativën, shkurt thanë se komisioni i njëjti duhet të hetojë edhe përfshirjen e Ahmetit dhe bashkëpunëtorëve të tij në këtë rast. Ndërsa mbështetje ky komision do të marrë edhe nga Aleanca për Shqiptarët.
Për të akuzuarit në rastin “ Lagjja e Trimave” Gjykata Penale dha dënime maksimale, ndërsa katër prej tyre u liruan nga akuzat.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com