Dhunuesi i 27 prillit të përgjakshëm, Igor Jug dje doli nga burgu, konfirmoi për “Makfaks” drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Jovica Stojanoviq..Siç deklaroi drejtori, Jug dje në orën 17 e 15 ka dalë nga burgu i Shutkës, por menjëherë është ftuar për marrje në pyetje në prokurori dhe në gjykatë. Burimet e “Makfaks” jozyrtarisht konfirmojnë se Jug është kthyer përsëri në paraburgim në orën 5 të mëngjesit por këtë herë për vepër tjetër penale, për posedim të armëve pa leje.
Ai vuan paraburgimin për veprën pjesëmarrje në turmë. Igor Jug, ishte pjesë e turmës që hyri me dhunë në Kuvend dhe u konfrontua fizikisht me deputetët e LSDM-së.
Në këtë moment për personin e dyshuar Prokuroria kompetente themelore publike në Shkup është duke udhëhequr hetim për vepër penale përpunim të pautorizuar, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim me armë ose materie shpërthyese nga neni 396 i Kodit penal.
Pas sulmit në Kuvend u paraqitën edhe regjistrime në të cilat shihet qartë se Igor Jug në mbrëmjen e 27 prillit mban edhe armë. Regjistrimet tregojnë se tërë kohën e ka dorën në brez, duke mbajtur revole, brenda në pres-qendrën në Kuvend, kur një pjesë e turmës i sulmoi deputetët që u hasën në sallë.
Të gjithë pjesëmarrësit tjerë që i ndiqte prokuroria, fituan dënime me kusht. Ende nuk ka epilog nga hetimi i prokurorisë për krim të organizuar, ku ende hetohet hapja e dyerve nga Kuvendi nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, si dhe përgjegjësia e Mitko Çavkovit si drejtor i Byrosë për siguri publike për shkak të një varg lëshimesh të policisë atë natë. Nuk ka hollësira as nëse do të përgjigjen organizatorët e protestave “Për Maqedoni të përbashkët”./Almakos


