Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi takime me studentë të Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, si dhe me punonjës policie për hetimin e krimit, që trajnohen në Akademinë e Sigurisë.
Gjatë fjalës së tij, Hita vlerësoi zgjedhjen e të rinjve për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë, duke e cilësuar atë një vendim me rëndësi për jetën personale dhe për shërbimin ndaj vendit.
Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se kjo rrugë kërkon përkushtim, disiplinë dhe përgjegjësi, ndërsa nënvizoi se Akademia e Sigurisë është e akredituar nga Ministria e Arsimit dhe funksionon sipas standardeve bashkëkohore dhe praktikave ndërkombëtare.
“Të dashur studente dhe studentë, Zgjedhja juaj për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë është për t’u vlerësuar, një zgjedhje e rëndësishme për jetën tuaj dhe për kontributin në shoqëri. Është një vendim që flet për guxim dhe për dëshirën për t’i shërbyer vendit, dhe pa diskutim kjo zgjedhje kërkon përkushtim, disiplinë dhe ndjenjë përgjegjësie. Akademia është e akredituar nga Ministria e Arsimit, me standarde bashkëkohore dhe e integruar me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ju studioni me kurrikula të Akademisë së Policisë italiane, ndërsa edhe trajtimi financiar është në parametra të kënaqshëm”, tha Hita.
Ai u dha studentëve disa kësholla, të marrin seriozisht dijen, të ruajnë integritetin dhe të mos harrojnë arsyen pse kanë zgjedhur këtë profesion.
“Do t’ju këshilloja për tre gjëra: merreni seriozisht dijen, ruani integritetin dhe mos harroni pse keni zgjedhur këtë rrugë. Besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë, me ndershmëri dhe përgjegjësi. Shqipëria ka nevojë për ju, ne kemi nevojë për ju. Unë besoj te ju dhe keni mbështetjen time të plotë. Ju uroj suksese dhe ju inkurajoj ta përballoni çdo sfidë me dinjitet dhe me përkushtim.”
Më tej, Drejtori i Përgjithshëm takoi edhe punonjës policie në trajnim për hetimin e krimit, duke theksuar rëndësinë e rritjes së vazhdueshme profesionale për përmbushjen e detyrës.


