Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka publikuar në rrjetin e saj social Facebook një mesazh urimi për Hirësinë e Tij, Joan Pelushi, me rastin e zgjedhjes si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
“Sinodi i Shenjtë zgjodhi sot Hirësinë e Tij, Joan Pelushi, Kryepeshkop të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Urime Hirësisë së Tij, Kryepeshkopit Joan, në udhëheqjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Pastë ndriçimin e Perëndisë, kthjelltësinë hyjnore, bekimin dhe urtësinë si bariu i mirë i besimtarëve ortodoksë”, shkruan Spiropali në Facebook.
Hirësi Joan Pelushi u zgjodh sot Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Zgjedhja e Kryepeshkopit Joan u bë nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse, pas Liturgjisë Hyjnore të së dielës, që për besimtarët ortodoksë përkon me të dielën e dytë të Kreshmës.
Hirësi Joani u prit me një ceremoni të veçantë dhe hyri në Katedralen “Ngjalla e Krishtit”, ndërsa kambanat e saj dhe ato të të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri, ranë njëkohësisht në nder të këtij momenti historik.
Pas shpalljes së emrit të tij, Kryepeshkopi i ri mbajti një fjalë të shkurtër, që u prit nga dhjetëra besimtarë të pranishëm me duartrokitje dhe thirrjet “i denjë”.
“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor, pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e Kishës. I vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Krishtit të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim,” u shpreh Imzot Joani.