Qerim Krasniqi, nga Kosova, nuk ka mashtruar vetëm Marjana Çakulin në Tiranë por dhe të tjerë persona. Sipas dosjes hetimore, Qerimi i ka marrë dhe një shumë parash një mjekeje. Gjatë seancës gjyqësore ai ka pranuar se ka marrë para nga doktoresha me emrin Imelda, mirëpo edhe asaj nuk ia ka kthyer borxhin.
“I kam marrë një doktoreshe me emrin Imelda një shumë prej 500 eurosh pasi isha në kushte të vështira ekonomike dhe nuk ia kam kthyer këtë shumë monetare”, ka rrëfyer 30-vjeçari.
Kujtojmë se, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sot masën e ‘arrestit me burg’ për Qerim Krasniqin, 30-vjeçarin nga Kosova, i cili dyshohet për veprën penale të mashtrimit. Sipas njoftimit nga policia, 30-vjeçari kishte mashtruar një qytetare dhe kishte arritur t’i zhvaste shumën prej 135.000 eurosh.
I riu arriti të binte qytetaren me pretendimin se me shumën e parave do të investonte në Call Center. Grupi hetimor gjithashtu ka zbuluar se 30-vjeçari ka kryer të njëjtën metodë edhe me disa qytetarë të tjerë të Shqipërisë duke vjelë shuma të mëdha monetare.



