Shkruan: Hoxhë Husamedin Abazi
Pas agresionit të mbrëmshëm amerikan ndaj Iranit, gazetari Halil Matoshi sot i paska thurur elozhe këtij agresioni siç kanë bërë edhe disa kolegë të tij gazetarë dhe disa politikanë, një gjë që nuk e kanë bërë shumë gazetarë dhe politikanë amerikan. Madje Senatori Barnie Sanders sot para një numri të madh të përkrahësve të tij jo vetëm që nuk e përkrahu këtë agresion antikushtetues, por dhe ishte shumë i ashpër kundër presidentit Trump dhe i kujtoi që një vendim për luftë dhe agresion ndaj një shteti tjetër mund ta marr vetëm Kongresi Amerikan e kurrsesi presidenti njëanshëm siç bëri Trumpi në këtë rast. Gjithashtu shihet qartë se sot në përgjithësi populli liridashës dhe paqësorë amerikan po e shpreh kundërshtimin e tij ndaj këtij akti armiqësorë ndaj një shteti të pavarur dhe sovran, i cili në asnjë mënyrë nuk i shërben interesave të popullit dhe shtetit amerikan (pushtetit ndoshta)?!
Pos tjerash, z. Matoshit i paska penguar edhe qëndrimi parimor dhe antidhunë i hoxhallarëve që janë shprehur kundër këtij agresioni dhe kundër vrasjes së fëmijëve dhe të civilëve të pafajshëm në Gaza. Madje siç di ai me gjuhën e tij fshatareske (se kemi fjalën këtu për gegnishtën tonë të ëmbël) jo vetëm që i fyen hoxhallarët, por edhe thërret në likuidimin e tyre (po e përsëris, likuidimin e tyre) duke shkruar:” Pos tradhti dhe injorancë e skajshme!?
Asht humane sëkëndejmi, qe kjo teokraci imamësh me u dërmu e rrekny n’humnerë e kush âsht me Ajatollahët dmth. âsht me kast anmik i lirisë!”
Pa dashur ta zgjas, po ta them edhe një herë z. Matoshi:
Jam kundër agresionit amerikan ndaj shtetit të pavarur e sovran të Iranit, por nuk jam me Ajatollahët e tu!
Jam kundër agresionit izraelit ndaj Iranit.
Jam kundër agresionit rus ndaj shtetit të pavarur dhe sovran të Ukrainës.
Jam kundër terrorizmit dhe gjenocidit të paparë izraelit ndaj popullit palestinez dhe në veçanti Gazës.
Jam kundër çdo terrori, gjenocidi, dhune dhe mosdurimi racor, fetar dhe qytetërimor, kudo që ndodhin ato.
Jam kundër çdo lloj servilizmi dhe shkeljeje të Parimeve të Njerzillakut, edhe atëherë kur ju dhe disa politikanë na ftoni në të kundërtën!
Krejt në fund do thoja se këtu ka vend edhe për denoncimin e z. Matoshit për thirrje në dhunë dhe mosdurim fetar. Tjerat po ua lë juve t’i komentoni…