Parë nga jashtë, ke përshtypjen se në Shqipëri nuk ka njerëz më të egër e ma mospërfillës ndaj mendimit të të tjerëve sesa përfaqësuesit e komunitetit LGTB dhe qeveritarët e shtetit! Mbase kjo vjen pse thuajse nuk ka ‘profesion’ më fitimprurës se të jesh në krye të këtij komuniteti, apo të këtij vendi. Dhe të parët përfitojnë mbështetje materiale nga perëndimorët duke u vetëshpallur viktima, të cilat nuk i donë populli, e të dytët gëzojnë mbështetjen e perëndimorëve duke e shpallur vetveten për vlera të cilat i mbështetë dhe, pa të cilat, nuk mundet populli. Andaj është mirë që drejtuesit e komunitetit LGTB t’i injorosh, e burrështetasit që varfërojnë popullin të mos i përkrahësh dhe të mos i votosh! Me çka edhe Perëndimi ndoshta do e kuptojë se halli i shqiptarisë nuk janë të drejtat e atyre që duan familje me ‘prind’, po pa babë e nënë, por padrejtësia dhe dëmi i pandreqshëm që ‘talebanët’ partiak ia bëjnë tërë shqiptarisë!
Në Kosovë është krejt ndryshe: nuk ka më të egër e më mospërfillës ndaj të tjerëve se sa disa qarqe antiislamike dhe ‘komandantët’ që e zaptuan shtetin, duke e shpallur pronë të veten edhe lirinë e vendit! Dhe kjo ndodh mbase pse në Kosovën e sotme nuk ka ‘profesion’ më fitimprurës se sa të jesh ‘mbrojtës’ i mirëpaguar i vlerave Perëndimore, apo plaçkitës i popullit tënd! Kështu që të parët përfitojnë nga perëndimorët duke e trilluar dhe glorifikuar rrezikun nga ‘radikalizmi islam’, e të dytët, duke i gënjyer miqtë e Kosovës se janë duke ndërtuar shtet demokratik, sipas standardeve perëndimore! Andaj mund të thuhet se shqiptarët e Kosovës e kanë shumë më rëndë se sa vëllezërit e tyre në Shqipëri: edhe profesionistët e paguar që Perëndimin e mbrojnë nga Lindja, njësoj si edhe burrështetasit hajdutokratë, kanë pas vetes atë që nuk e ka populli – institucionet e shtetit dhe fonde të pashtershme materiale!
Sa u përket shqiptarëve të Maqedonisë, ata nuk kanë hallin e egërsisë së cilit do grupi që është pjesë e shoqërisë së tyre, por vuajnë nga diçka krejt e kundërt: nga injoranca dhe inferioriteti i përfaqësuesve të tyre politik! Dhe siç duket, për shqiptarët që jetojnë në këtë shtet, i cili duhet të ndërrojë emër e mbiemër, nuk ka profesion më fitimprurës se të jesh politikanë pakurrizorë e injorantë. Ngaqë, sa më injorantë dhe inferior je dhe, sa më të ultë e ke moralin dhe diturinë, aq më lartë ngjitesh në postet shtetërore! Dhe kjo ndodh pse edhe të huajt që kujdesen për këtë shtet, njësoj si edhe pala maqedonase, duan burrështetas të dëgjueshëm dhe vasalë të nënshtruar shqiptarë! Kështu që mund të krijohet bindja e gabuar se shqiptarët e Maqedonisë e kanë më lehtë sesa vëllezërit e tyre që jetojnë nëpër ‘Shqipëritë’ tjera! Por nuk është ashtu, ngaqë ata kurrë nuk do mund të dalin nga balta e injorancës dhe inferioritet politik me një mëmëdhe – Shqipëri, që brengë parësore ka orientimin seksual të qytetarëve të saj si dhe, me një atdhe – Kosovë, që nuk dinë të dallojë miqtë nga armiqtë, e le më ta vlerësojë drejtë se çka atë më së shumti e rrezikon!
Marrë në përgjithësi, në botën shqiptare thuajse çdo gjë është ndryshe-ndryshe dhe e copëzuar, përpos krimit dhe ‘tallava’ muzikës! Dhe këtë jo që nuk e dinë kundërshtarët tanë, si dhe qendrat e vendosjes në Perëndim, por atyre u përshtatet që jemi duke u bërë ‘tallava’ popull, i cili i thellon grindjet dhe ndasitë brenda vetvetes!
https://www.facebook.com/KimMehmeti/videos/10156162345347141/