Sekretari gjeneral i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev ka vazhduar edhe sot me akuza ndaj qeverisjes tre vjeçare të ish kryeministrit Zoran Zaev. Veçoi se gjithçka do të ndryshojë pas 12 prillit.
“Tre vite Zoran Zaev. Tre vite qytetarët kanë vuajtur kurse mafia ka përfituar. Ekonomia është larg rritjes prej 5%, administrate është e partizuar. Kriminelët dynden në rrugë dhe askush nuk përgjigjet. Nuk ka blerje të produkteve bujqësore, spitalet i kemi sikur nëpër filma horor”, tha Janushev.
Ai shtoi se tenderi prej 35 milion eurove në shëndetësi është i përgjakur.
“Tenderët të cilët i merrte bashkëshorti i Caroskës, Leonardo, Reket 1,2,3…. Premton system të drejtë kurse të njëjtin e shkatërruan. Patriotët kanë ngecur nëpër burgje kurse vrasësit janë të lirë. 1200 kriminel në vend se në burg, janë ende nëpër rrugë dhe i terrorizojnë qytetarët”, veçoi Janushev.
Ai deklaroi se nga e hëna e 20 janarit do të fillojë kampanja “Rindërtimi para shtëpisë suaj”. Pohoi se ekipe nga VMRO-DPMNE-ja do ti vizitojnë shtëpitë e qytetarëve dhe premtoi se së bashku me qytetarët do ta mundin qeverinë e kriminalizuar.



