Burimet publike janë të kufizuara. Angazhimi ynë, si Ministri dhe si Qeveri, që nga viti në vit të orientojmë mjete gjithnjë e më të mëdha drejt shkencës dhe kërkimit, tregon vendosmërinë për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në dije, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup, ku u prezantuan rezultatet paraprake të hulumtimit “Zgjidhje inovative shkencore për uljen e pabarazisë sociale dhe ekonomisë gri në Maqedoni përmes rregullativës tatimore”.
Hulumtimi po realizohet nga ekipi i Fakultetit Juridik, me mbështetje financiare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për stimulimin e projekteve kërkimore-shkencore.
Nga MASH thonë se Maqedonia nuk mund të vazhdojë me praktikën e investimeve të vogla në shkencë. Shtetet e rajonit po i intensifikojnë investimet në zhvillimin shkencor-teknologjik dhe vend, nëse dëshiron të mbetet relevant edhe në skenën shkencore ndërkombëtare, është e domosdoshme të bëjë hap përpara drejt rritjes sistematike dhe domethënëse të mjeteve për kërkime, krijimit të infrastrukturës bashkëkohore dhe nxitjes së kapacitetit inovativ.
Ministrja Janevska theksoi se vitin e ardhshëm, 2026, do të kemi 773 milionë denarë për shkencën, që është rritje e vazhdueshme, nga 380 milionë denarë në vitin 2024 dhe 680 milionë denarë në vitin 2025.
“Po ndërmarrim aktivitete të shumta të orientuara drejt përforcimit të kapaciteteve kërkimore-shkencore të shtetit. Njëra prej tyre është mundësia për përfshirjen e shkencëtarëve dhe studiuesve maqedonas në rrjetet evropiane të kërkimit, për çka kemi nënshkruar marrëveshje me Qendrën e Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian. Me qasjen në burimet elitare, dije dhe projekte të përbashkëta me partnerë evropianë, shkencëtarët tanë fitojnë mobilitet, ndërsa shteti perspektivë zhvillimore”, theksoi Janevska.
Ministrja gjithashtu vuri në dukje rritjen e pagave të profesorëve universitarë për 14% dhe sigurimin e qasjes falas në bazat shkencore Web of Science dhe Scopus. Po përgatiten gjithashtu dy zgjidhje të reja ligjore, për arsimin e lartë dhe për veprimtarinë kërkimore-shkencore, të cilat, së bashku me reformën e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe hapjen e parkut të parë shtetëror shkencor-teknologjik, do të mundësojnë përmirësim të ndjeshëm të kushteve për kërkime shkencore.


