Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska gjatë vizitës së sotme të punës në Tetovë deklaroi se vitin e ardhshëm shkollor do të ketë libra për çdo fëmijë dhe se deri më atëherë do të tejkalohen mosmarrëveshjet të cilat ekzistojnë në relacione ministri – komuna – shkollë.
“Dukshëm ka disa mosmarrëveshje ndërmjet udhëheqësisë së shkollave, por edhe në mesin e disa komunave dhe pushtetit qendror. Libra duhet të ketë për çdo fëmijë. Ministria do të sigurojë libër për çdo fëmijë. Ekzistojnë disa mosmarrëveshje ku kërkohen libra të cilët realisht nuk ekzistojnë dhe realisht nuk ka as libra sepse shkollat nuk i kanë kërkuar nga ministria. Këtë vit seriozisht do të bëjmë përpjekje që ta tejkalojmë atë sfidë dhe pikërisht për këtë nesër do të kemi konferencë për media. Ju lus të ndiqni gjithçka në hollësi, do të përshkruhet që të mos ketë mosmarrëveshje”, theksoi Janevska në ditën e fundit të vitit shkollor dhe me këtë rast përfundimit të rikonstruimit të SHF “Andreja Saveski – Qiqish” në Tetovë.
Në pyetjen e gazetarëve pse nuk ka mësimdhënës në gjuhën shqipe në diasporë, Janevska tha se ka mungesë për të dy gjuhët (gjuhën shqipe dhe maqedonase) dhe se po punohet për gjetjen e zgjidhjes.
“Nuk ka as te shqiptarët as te maqedonasit. Jemi në rrjedha edhe me atë problem. Planifikojmë të rrisim një numër të caktuar çdo vit, por kam pasur përvojë në disa vende ku mërgimtarët organizohen për të gjetur një mësues nga niveli lokal. Sepse ata kanë ndonjë mësues në mesin e tyre. Nëse ata sigurojnë mësuesin, sepse është më e lehtë për të të jetë nga atje sesa të udhëtojë nga Maqedonia dhe të ketë një jetë të ndarë nga familja e tij, ne do t’i mbështesim ata në maksimum. Dhe nuk ka rëndësi nëse janë shqiptarë apo maqedonas, turq dhe serbë e kështu me radhë, kudo që ka nevojë, ne do t’i mbështesim ata në maksimum dhe do të bëjmë gjithçka që mundem”i, u përgjigj Janevska.
Në pyetjen deri kur do të priten rikonstruime të caktuara ose ndërtesa të reja për shkollat në shtet, Janevska theksoi se qeveria e re vazhdimisht investon në infrastrukturë, por vlerësoi se për një vit mund të bëhen vetëm disa punë të caktuara.
Njoftoi se me 32 000 000 euro investohet në shumë projekte infrastrukturore – për momentin ndërtohen shtatë ndërtesa shkollore, 20 shkolla po rinovohen, vijon ndërtimi i katër sallave të sportit dhe po rikonstruohen dy konvikte të studentëve.