Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska pasdite nga foltorja e Kuvendit duke iu përgjigjur pyetjeve parlamentare paralajmëroi një ligj të ri për Inspektoratin Shtetëror të Arsimit. Duke iu përgjigjur pyetjeve parlamentare tha se në këtë institucion janë bërë keqpërdorime dhe se për këtë do të informojë kur të deklarohen organet hetuese.
“Vijon një ligj i ri për Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, në të cilin do të ketë edhe kontroll mbi ISHA. Tani, për fatin e keq të tyre, unë jam autoriteti i tyre – Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Si kanë punuar deri më tani, do të përgjigjen. Ndërsa si do të punojnë prej tani, autoriteti nacional për ISHA është MASH dhe më nuk ka bashibozuk, kush sa dëshiron merr, kush sa dëshiron paguan, kush ku dëshiron shkon, kë dërgon kë të dojë, ndërsa jo atje ku duhet. Raporte shumë të ndryshme nga inspektorët të cilët duhet të kenë një raport, nga inspektorët të cilët duhet të japin konkluzion, propozim, vendim etj… Do të habiteshit nëse do ta shihnit, por edhe kjo do të zgjidhet dhe do të duhet pak kohë. Nuk them se atje nuk ka njerëz të cilët e kryejnë punën me sukses, por them se atje nuk ka njerëz që dinë se ç’farë duhet dhe si duhet, por e dini siç thonë “nga udhëheqësia varet se si do të jetë rendi në institucion”, tha ministrja.
Janevska akuzoi se drejtori dhe të punësuarit në ISHA kanë bërë keqpërdorime të ndryshme rreth shfrytëzimit të karburanteve për qëllime private dhe përfitime të tjera.
Janevska tha se në ISHA ekzistojnë dhe janë bërë punë më të komplikuara, por në lidhje me atë do të tregojë kur të shprehen organet hetuese.
Ajo u bën apel deputetëve të opozitës të bashkohen rreth çështjeve arsimore, sepse, siç tha arsimi është jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm.